Pas debatesh, konsensus; opozita voton ligjin për pasuritë e paluajtshme

11/02/2016 00:00

Pasditen e së enjtes Parlamenti miratoi dy projektligje për pasuritë e paluajtshme dhe atë që maxhoranca e ka cilësuar deri më tani reforma për transportin rrugor.

Projektligji për pasuritë e paluajtshme synon t’i japë fund një problemi në hipotekimin dhe shitjen e banesave.

“një firmë ndërtimi sot mund ta shesë, teorikisht, apartamentin apo pronën në ndërtim më shumë se sa njëherë. Leja e ndërtimi sapo të jepet nga bashkia regjistrohet menjëherë nga Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurisë dhe çdo transaksion që do të bëhet në vijim do të duhet të jetë i deklaruar në Zyrë e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ta mbrojtur blerësin e kësaj prone që në proces”, shpjegoi ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani.

Ndërkaq u miratuan edhe ndryshimet në ligjin për transportet rrugore, për të cilin ministri Edmond Haxhinasto tha se synon modernizimin e të gjithë rrjetit të transportit rrugor e që do të përkthehet në më pak jetë të humbura njerëzish.

“Të rinovojmë flotën e tyre sepse është situatë mesjetare në flotën e autobusëve. Rritet shumë siguria e qytetarëve shqiptarë nëpërmjet kësaj ndërhyrje. Përcaktimi i nevojës dhe domosdoshmërisë së terminaleve, sistemi i biletimit dhe futja e teknologjisë së informacionit në këtë lloj elementi dhe krijimin e regjistrit elektronik të të gjithë operatorëve”, deklaroi ministri Haxhinasto.

Haxhinasto për targat me çip: S’kemi marrë asnjë vendim. Oferta po vlerësohet

Ministri i Transportit, Edmond Haxhinasto iu përgjigj akuzave të opozitës në lidhje me kërkesën koncesionare të marrë nga institucioni që ai drejton për targat me çip.

Haxhinasto ritheksoi se bëhet fjalë për një ofertë të pakërkuar nga Ministria, kërkesë që është çuar për vlerësim në institucionet e tjera shtetërore për vlerësim. Kreu i Transporteve prezantoi avantazhet e targave me çip dhe i kërkoi opozitës që të kursejë kritikat për një koncesion që është ende në vlerësim.

“Targa me çip është njësoj si të vendosësh një sistem monitorimi me kamera, por aftësia e një çipi është shumë më e lartë se ajo që lejon kamera. Çipi lexohet në çdo rrethanë. Pavarësisht kësaj, ministria dhe gjithë institucionet e kësaj qeverie kanë për detyrë që të analizojnë me seriozitet maksimal çdo kërkesë koncesionare. Gjykimi juaj duhet të nisë kur ne të pranojmë kërkesën koncesionare. Kjo ofertë e pakërkuar është sjellë për vlerësim dhe ne e kemi çuar tek institucionet e tjera për vlerësim dhe pastaj do të shprehemi për këtë”, deklaroi Haxhinasto.

Duke u ndalur tek ligji i ri për transportin publik, Haxhinasto shpjegoi se ky ligj përmirëson cilësinë, rrit sigurinë dhe nuk ul numrin e të vetëpunësuarve në këtë sektor, pasi parashikon shndërrimin e tyre në aksionerë në shoqëritë bashkiake.

“Krijon premisa të një cilësie totalisht të ndryshime të transportit ndërqytetas për qytetarët shqiptarë. Reforma nis me këtë ndryshim ligjor dhe do të plotësohet me akte të tjera nënligjore, VKM dhe urdhra të ministrive që të përfundojë i gjithë kuadri i nevojshëm institucional dhe ligjor. Kjo reformë përafron në 6 elementë të ndryshëm me direktivat e BE-së këtë sektor. Nuk do të përjashtohet asnjë, por të gjithë do të jenë pjesë e shoqërive bashkiake si aksionerë mbi bazën e automjeteve ku kanë investuar”, deklaroi ministri i Transporteve.

Manjani: Duhet hartë unike dixhitale për pronën. Bylykbashi: Ligji i ri bën lëmsh situatën

Pas debateve për Byronë Kombëtare të Hetimit, në Kuvend janë rikthyer diskutimet për rendin e ditës. Duke folur për ndryshimet në ligjin për pasurinë e paluajtshme, ministri i Drejtësisë Ylli Manjani theksoi faktin e mungesës së një harte unike dixhitale për pronat, çka do të sillte dhe zgjidhje të problemeve.

“ZRPP mund t’i vëmë emra sa të duam, epitete sa të duam, por gjendet sot realisht para vështirësive serioze. Vështirësia numër një është kjo që po ju them, mungon ende sot e kësaj dite një hartë unike dixhitale që t’i japë informacion për çdo të interesuar. Ky është problemi. Prandaj kemi hyrë në një proces dixhitalizimi, jo për të përsëritur gabimet e të shkuarës po për të bërë njëherëe mirë të mundur që në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të kemi hartë të besueshme nga të gjithë. Sepse sot në nëpunësit e hipotekës gjenden 5-6 harta, është një hartë e vjetër, një e kthimit të pronave, një e 7501, një e ALUIZNI dhe për fat të keq ZRPP ka vetëm një përgjigje, mbivendosje dhe drejtohuni gjykatës. Duhet të bëjmë hartë dixhitale të verifikuar në terren dhe kemi pranuar me vendim qeverie që harta që prodhon sot ALUIZNI është më e sakta”, tha ministri Manjani.

Sipas tij një hartë unike dixhitale do të minimizonte edhe rastet e korrupsionit në këtë sektor, të cilat ai nuk i ka mohuar. Por për demokratin Oerd Bylykbashi, ligji i ri do të bëjë më shumë lëmsh situatën.

“Me sa kam parë nga projekti dhe amendamentet, problemi mbetet i pazgjidhur dhe është problematikë, është një përpjekje për të bërë diçka të mirë, por është bërë keq dhe në mënyrë të pamjaftueshme. Nuk e zgjidh problemin, dhe e vetmja mënyrë është për t’i hyrë me themel kësaj situate që trajtohet, regjistrimin e pallateve që ndërtohen me leje që lëshohen”, tha Bylykbashi.

Bylykbashi akuzoi Zyrën Qëndrore të Regjistrimit të Pasurive si një institucion të korruptuar, ku për deputetin demokrat qytetarët duhet ende të paguajnë nën dorë për të marrë një certifikatë pronësie.

Sipas draftit, ndërtuesit detyrohen të regjistrojnë në hipotekë jo vetëm lejen e ndërtimit por edhe për kontratat e sipërmarrjes apo porosisë në ndërtimet e reja.

Blushi: Pakt për mos të hetuar e ndëshkuar politikanët
Deputeti socialist Ben Blushi ka akuzuar Kuvendin se me vonesën e miratimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit po bind shqiptarët se ekziston një konsensus që të mos ketë hetim e ndëshkim për politikanët.

“Për fat të keq edhe sot kështu ndodhi, duke shtyrë hetimin për ne, Byronë Kombëtare të Hetimit po i bindim shqiptarët se këtu ekziston një pakt dhe një konsensus që të mos ketë hetim dhe ndëshkim për politikanët. Dhe unë besoj që shqiptarët janë sot më shumë të bindur se po shkojmë prapë drejt një konsensusi për të mos zbatuar asnjë nga ligjet që miratojmë për veten tonë. Po bëjmë pakt për mos t’u ndëshkuar”, tha z. Blushi.

Madje ai shkoi më tej, duke akuzuar sërish klasën politike në Kuvend se po shtyn pa shkak reformën në drejtësi, si dhe zbatimin e ligjit të dekriminalizimit që për Blushin me shumë gjasa do të hyjë në fuqi në Parlamentin e ardhshëm.
   
“Ky parlament ka një tipar nga i cili nuk shpëton dot, ka shpejtësinë për tu bërë i ngathët dhe ngathtësinë për tu bërë i shpejtë për gjëra të parëndësishme. Është i shpejtë kur nuk duhet dhe i ngathët kur duhet. Siç është rasti i reformës në drejtësi që po shtyhet pa shkak. Ajo që bëjmë ne në Parlament i ngjan atij bujkut që në vend të merret me mbjellje, korje, po i shtyn për vitin e ardhshëm dhe e mbush kazanin me fara kungulli që i mjaftojnë për 10 vjet. Kështu ndodhi dhe me dekriminalizmin. U miratua para rreth 1 apo 2 muajsh në limitin e kohës dhe për fat të keq dhe pse ligji ka hyrë në fuqi dhe është futur në procedurë të pakuptueshme, çfarë ndodhi? Asgjë nuk ka ndodhur akoma. Ne bëjmë vetëm një gjë në këtë Parlament, bëjmë pakte dhe gjejmë konsensus si të mos ndëshkohemi reciprokisht. Kjo që po ndodh me ligjin e dekriminalizimit, se mesa duket do hyjë në fuqi Parlamentin e ardhshëm, mesa duket ka për të ndodhur me reformën në drejtësi dhe Byronë Kombëtare të Hetimit”, tha Blushi.

Tahiri: Drafti i qeverisë, i dakordësuar pikë për pikë
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, duke mbrojtur draftin për Byronë Kombëtare të Hetimit, thekson faktin se pavarësisht se emërimi i drejtorit të Byrosë do të bëhet mga ministri i Brendshëm ai merr miratimin paraprak të Pokrurorit të Përgjithshëm.

Tahiri lexoi në Kuvend disa nga pikat e draftit të dakordësuara me opozitën për Byronë.

“Drejtori i byrosë emërohet dhe shkarkohet me miratimin paraprak dhe me shkrimit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe kështu çdo punonjës në Byronë Kombëtare të Hetimit. Byroja është shërbim i policisë gjyqësore. Veprimtaria proceduriale penale e Byrosë Kombëtare të Hetimit drejtohet dhe kontrollohet nga prokurori. Prokurori është autoriteti përgjegjës vendimarrës në lidhje me vendimet e Byrosë Kombëtare të Hetimit, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale dhe legjislacionit në fuqi. Sipas draftit të dakordësuar, prokurorët kanë akses të plotë në të dhënat dhe informacionet që lidhet me çdo hetim të Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe mbajnë marrëdhënie të përhershme me Byronë. Prokurorët e caktuar mund t’i sugjerojnë drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit trajnime dhe procedime disiplinore të nevojshme për punonjësit e Byrosë”, tha Tahiri.

Ai i kërkoi opozitës të mos abuzojë me rekomandimet e Venecias, dhe se disponon e-mailet e tyre për pikat e dakordësuara.

Paloka: Jo Byro në varësi të kryeminsitrit. Drafti, jo ai i dakordësuar
Kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka ka deklaruar në Kuvend se drafti i Byrosë së Hetimit i miratuar në qeveri nuk është ai i dakordësuar mes palëve, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë konsensusin e opozitës.

“Nuk mund të ketë Byro Hetimi në varësi të kryeministrit dhe ministrave të tij dhe kjo është logjikë e thjeshtë. Sepse i bie që Saimir Tahiri të hetojë Edi Ramën, apo Edi Rama Edi Ramën. E kemi kërkuar këtu dhe çfarë ndodhi? Pasi na u tha se nuk vjen projektligji pa ardhur përgjigja nr. 2 e Venecias, papritur u mblodhën mbrëmë dhe miratuan një projektligj. Jo ai për të cilën nuk flasim ne. Bën një hile alla Rama dhe kaluan projektligjin që këta deshën. Tani na thonë ‘Hë, e doni ju?’. Është lojë për “kokëderra”, “çorbëderra”, po ne këtëj nuk i themi derrit dajë, kështu që nuk mund t’i themi atij projektligji që kanë miratuar këta dje me emër tjetër”, tha Paloka.

Rama: Drafti i BKH kalon me shumicë të thjeshtë
Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit të miratuar në qeveri është 100% ai i dakordësuar me Partinë Demokratike, ka theksuar kryeministri Edi Rama në seancën kuvendore.

Ai ka paralajmëruar se Byroja e Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë në Kuvend, por ekspertët e PD-së janë përfshirë nga ndërkombëtarët në hartimin e këtij drafti. Ai i ka kërkuar kundërshtarit të tij politik, Sali Berisha që të mbajë një qëndrim për Byronë, duke u shprehur se demokratët po vënë në pozitë të vështirë partnerët ndërkombëtare.

“Byroja Kombëtare e Hetimit kalon me shumicë të thjeshtë, po ishte kërkesë e ndërkombëtarëve që për shkak të programit që BE ka lançuar për financimin e policisë së shtetit dhe për shkak të marrëveshjes me FBI të përfshihehin dhe ekspertë dhe përfaqësues të PD dhe ne ramë dakord. Jeni përfshirë dhe dakordësuar pikë për pikë. Drafti i Byrosë Kombëtare të Hetimit që qeveria shqiptare ka sjellë në Parlament është drafti me të cilin jeni dakordësuar ju. 100%. Pasi kemi miratuar draftin 100% të dakordësuar me ju, ju keni dalë dhe keni thënë një gënjështër dhe më të madhe. Që ky është drafti që më nxorri mua cullak. Unë për të dalë cullak nuk kam nevojë të bëj drafte me ju. Po në këtë rast është një shpifje jo ne, por vë në pozitë të vështirë partnerët tanë. Dhe mbi të gjitha pastaj krijon një konfuzion total tek publiku”, tha Rama.

Berisha: Reforma në drejtësi, e njëanshme. Drafti i BKH, ndesh me Venecian
Në fjalën e tij në Parlament, ish-kryeministri Berisha deklaroi se varianti i miratuar nga qeveria për Byronë e Hetimit nuk është ai i dakordësuar nga opozita. “Dhe unë këtu, cilitdo që të dojë, mund t’i jap dokumentin”, ka thënë Berisha.

Duke shprehur bindjen se, reforma në drejtësi është e domosdoshme, Berisha ka theksuar se, nuk mund të ketë një forcë tjetër politike më të interesuar se opozita për funksionimin e shtetit ligjor.

“Atëherë ne përcaktuam qëndrimin tonë të hapur se do të marrim pjesë në këtë reformë. Oferta jonë u kuptua jo si një akt përgjegjshmërie shumë të lartë, por ju e hodhët poshtë me cinizëm ekstrem”, ka thënë Berisha duke iu drejtuar mazhorancës.

“Megjithatë, ne deklaruam në mënyrë persistente se duam të punojmë. Ju menduat se do të na nënvlerësonit duke futur papagajtë tuaj për të deklaruar se opozita nuk do reformë. Harrojeni këtë. Ne persistonim në qëndrimin tonë, në parimet që kishim shpallur. Por ju, pa na pyetur fare, morët e vutë një draft të hartuar nga një grup ekspertësh të blerë e të korruptuar”, ka vijuar Berisha.

“Futët në grup kunatin e Mimi Kodhelit dhe zonja në fjalë u ngrit këtu dhe mbrojti kunatin. Ai do merrte në darkë ato që i thoshte kunata, që ia kishte thënë Edi Rama gjithë ditën. Eksperti tjetër ishte ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, që më vonë erdhi dhe shprehu përkatësinë ndaj PS-së. Vunë në krye Xhafën, i cili porositi: më kini kujdes kunatin. Cilin kunat? Sokol Berberin, ish-anëtarin e Gjykatës Kushtetuese. Sokol Sadushi, me t’u ulur aty tha, Shqipëria ka nevojë për një Gjykatë të Lartë Administrative, sepse unë dua të jem kryetar i saj”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, në draftin e qeverisë ishin bërë përpjekje që në vend të krijoheshin dy sisteme drejtësie. “Një sistem do drejtohej nga Edi Rama, njëri nga një humbameno. Dërguat në Venecia një shpartallim të Kushtetutës, me qëllim që të bëheshit ju kryegjykatës, për të marrë pushtetin e fundit që ju ka mbetur. Draftin e reformës e bëtë me ekspertët tuaj dhe nxorrët para ekspertëve tanë faktin e kryer”, ka shtuar Berisha.

Lidhur me Byronë Kombëtare të Hetimit, duke iu drejtuar mazhorancës, Berisha ka nënvizuar se, “drafti juaj shkoi në Kushtetuese dhe mori kthimin total të tij”. “Rekomandimet i Komisionit të Venecias nuk pranonin që Byroja të mos kishte lidhje me prokurorinë”, ka shtuar Berisha.

Batutat Rama- Berisha në Kuvend
Rama: Nuk është faji jonë që e ke bërë partinë si kopësht pa drekë, ke lënë një aty që duhet ta çosh të ndërkombëtarët si në takim pa prindër. Kështu që bashkë të dy keni bërë një çorap të madhe, ça keni thënë javën e kaluar e keni ngrënë këtë javë.

Berisha: Të përgëzoj që fole më me zemër dhe e kuptoj që e ke nga prania e ministrit Manjani këtu në sallë. Sot të përgëzoj!

Berisha: Gënjeshtër ka këtu për ata që të vërtetën e quajnë gënjeshtër dhe gënjeshtrën të vërtetë, se ti qëndron në krye të kësaj liste.

Rama: Dhe ju të tjerët që në kopshtin pa drekë nuk ju japin as drekë, ka mundësi mos të merni përsipër të flisni. Jozefinë (Jozefina Topallit) mos më trego etikën, sepse kjo është e vërteta. E keni bërë PD-në dhe ti e di më mirë se të tjerët, se në dorë të kujt ka ngel PD. Të paktën mos bëj hipokrizi këtu. Dihet botërisht se çfarë mendimi ke ti për administratorin e kopshtit. Ti e di ç’po heq dhe ti e di si po mbahesh. Mos më ngacmo që të vazhdoj.

Vizita e Kerry-t në Tiranë, tensione Rama-Berisha
Vizita e sekretarit amerikan të shtetit në Tiranë ka qënë një tjetër pikë debati mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Ish kryeministri Sali Berisha i kërkon qeverisë Rama që në shenjë mirënjohje t’i kërkojë SHBA-së të marrë përsipër muhaxhedinë të tjerë.

“Kemi ndjekur me solidaritet kauzën e drejtë të këtyre qytetarëve të cilët janë dhe rezistenca më e vjetër në kohën moderne, kanë mbi 60 vjet që luftojnë në të gjitha mënyrat për një vend demokratik dhe që janë në vështirësi serioze. Një gjest nga qeveria që t’i premtohet Kerry të merret që të gijthë muxhahedinët pasi edhe para 8 muajve ata janë bombarduar…”, ka thënë Berisha.

“Përsa i përket vizitës së Sekretarit të Shtetit, prapë the gjëra të pavërteta. Vizita e tij ishte planifikuar të bëhej në fund të vitit të shkuar në kuadrin e vizitave që bëri në rajon. Stacioni i Shqipërisë që ishte përfundimtar, u anullua për shkak të impenjimeve të sekretarit të shtetit në negociatat me Iranin. Ai nuk vjen për të kërkuar ato që the ti. Në atë aspekt s’ka asjnë problem mes nesh dhe SHBA dhe është një vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do vazhdojmë ta respektojmë”, u përgjigj Rama.

Peleshi: 4 agjenci rajonale zhvillimi. Berisha: Thjesht çove modelin Rama në Korçë
Krijimi i katër agjencive të zhvillimit rajonal është bërë objekt debati mes ish kryeministrit Sali Berisha dhe zv. Kryeministrit Niko Peleshi. Peleshi bëri të ditur se projekti përfshin katër rajone zhvillimi, dhe Korça do të jetë selia rajonale për rajonin Korçë-Elbasan-Berat. 

“Korça do të jetë një nga katër qytetet ku do të vendosen selitë rajonale për rajonin Korçë-Elbasan-Berat. Jemi vetëm në fillimet e saj. Do të jetë një agjenci e rëndësishme që do punojë me bashkitë për projektet zhvillimore në rajon. Bashkia e Korçës i ka propozuar ministrisë që një pjseë të godinës në pronësi të ministrisë së Arsimit t’ia vërë në dispozicion kësaj agjencie. Nuk e shohim në dëm të universitetit, pasi kjo agjenci do të punojë për universitetin. Siç bëmë me zyrën e punës”, tha Peleshi.

Por ish kryeministri Sali Berisha e akuzoi Peleshin se thjesht ka çuar modelin Rama në qytetin rajonal të Korçës dhe se buxheti është bërë vetëm zyra.
“Do hyni në histori si qeveri e zyrave, por jo e zyrave për të punuar, po e zyrave për të mbushur xhepat. Ju të gjithë buxhetin e keni bërë zyra, salla, më fal për shprehjen, tualete. Tani na del se po ngrini katër agjenci zhvillimi rajonal. Për ca ju duhen agjencitë Korçës, apo Shkodrës në një kohë kur ju nuk tregoni dot një vepër të ndërtuar. Kur kreu juaj detyrohet të shkojë tre herë në 1.5 km rrugë në Vlorë për të thënë u lodhëm, po bëjmë. Po cpo bën? 1.5 km ke dy vjet që spo e bën dot për të lidhur autostradën me rrugën transballkanike. Më thuaj ça ke bërë në Korçë përveç kullës falike, gjatë këtyre viteve që të pati dhe Korça si përfaqësues këtu”, tha Berisha.

Top Channel