Stamboll, sulmohen zyrat e dy gazetave proqeveritare

11/02/2016 12:35

Dy grupe agresorësh të paidentifikuar në Stamboll kanë hedhur bomba molotov dhe kanë qëlluar me armë ndaj zyrave të dy gazetave pro-qeveritare në Turqi.

Lajmin e kanë bërë të ditur si gazetat ashtu edhe policia lokale. E përditshmja “Yeni Safak” njoftoi se zyrat e saj dhe ato të “Yeni Akit” u sulmuan, por për fat të mirë nuk u regjistruan viktima.

Sipas burimeve, katër agresorë të maskuar sulmuan ndërtesën e “Yeni Safak” me shishe me benzinë, por mbërritja në kohë e zjarrfikësve shmangu intensifikimin e zjarrit. Pas kësaj, forcat e rendit rrethuan ndërtesën.

Dy gazetat mbështesin partinë në pushtet të presidentit Recep Tayyip Erdogan. Ndërtesat e tyre janë rreth 20 km larg njëra-tjetrës, ndërsa sulmet ndaj tyre ndodhën thuajse në të njëjtën kohë, në orët e para të së enjtes.

Xhamat e dritareve të godinave janë thyer si pasojë e të shtënave. “Gëzhoja të shumta plumbash u gjetën në të dyja vendet e ngjarjeve”, deklaruan zyrtarë të policisë.

Autoritetet janë vënë në kërkim të agresorëve. Për momentin, asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve.

Shtatorin e kaluar, protestues pro-qeveritarë sulmuan zyrat e së përditshmes “Hurriyet”, duke e akuzuar se shtrembëronte deklaratat e presidentit Erdogan.

Top Channel