Mourinho, 19 milionë euro në sezon te Manchester United

11/02/2016 12:50

Ndërsa pritet zyrtarizimi i caktimit të Jose Mourinhos në pankinën e Manchester United, media britanike ka filluar të zbulojë disa detaje të marrëveshjes së arritur mes teknikut portugez dhe drejtuesve të “Djajve të Kuq”.

Sipas “Daily Mirror”, Mourinho do të firmosë me Manchester United një kontratë 3-vjeçare me një pagë prej 19 milionë eurosh në sezon. Në të njëjtën kohë, transferimi i 53-vjeçarit në “Old Trafford” do të përkojë me ardhjen edhe të Andrea Berta në rolin e drejtorit sportiv.

Aktualisht, Andrea Berta është pjesë e bordit drejtues të Atletico Madrid dhe sipas asaj që publikon “Mirror”, ai ka raporte të ngushta si me Mourinhon ashtu edhe me agjentin e tij, Jorge Mendes.

Ndërsa “Mirror” flet për kontratën personale të portugezit, “Daily Star” e përqendron vëmendjen  te fondi që do të akordojnë drejtuesit e Manchester United për merkaton e transferimeve. Sipas këtij tabloidi, Mourinho do të ketë në dispozicion plot 380 milionë euro për të bërë blerjet e nevojshme për përforcimin e skuadrës dhe objektivi kryesor i “Djajve të Kuq” është pikërisht braziliani Neymar.

Top Channel