“Kumanova”, njëri prej të akuzuarve: 4 pjesëtarë janë ekzekutuar pas dorëzimit

11/02/2016 00:00

Katër pjesëtarë të grupit të “Kumanovës”, konkretisht Mirsad Ndrecaj, Beg Rizaj, Valon Kabashi dhe Samid Kastrioti, janë ekzekutuar nga policia maqedonase pasi janë dorëzuar.

Kështu është shprehur i akuzuari Rufki Dogani, gjatë seancës gjyqësore për rastin e “Kumanovës”, ku pala mbrojtëse dhe të arrestuarit kishin fjalën hyrëse. Ai ka thënë se, gjatë arrestimit i ka parë të gjallë të ndjerit, për të cilët pohon se janë vrarë në ndonjërin nga stacionet e policisë.

Dëshminë e Doganit para gjykatës e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Mefail Asllani.

“Njëri nga klientët e mi (Rufki Dogani) që përfaqësoj unë, në fjalën hyrëse tregoi se, pasi është dorëzuar grupi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Samid Kastrioti dhe Beg Rizaj kanë qenë gjallë dhe, sipas fjalëve të klientit, janë ekzekutuar në stacionin policor ku janë dorëzuar”, tha Mefail Asllani, avokat.

Të gjithë të akuzuarit i kanë thënë gjykatës se nuk ndihen fajtorë, kurse avokatët e tyre thanë se në akuzën e ngritur nga Prokuroria për “terrorizëm” dhe “organizim terrorist”, mungojnë detaje të rëndësishme përshkruese për veprën dhe nuk ekziston asnjë dëshmi për terrorizëm. Ata janë të bindur se, rasti i “Kumanovës” ka qenë i kurdisur për qëllime politike.

“Nuk janë përmbushur elementet bazike, për veprat me të cilat akuzohen të arrestuarit. Nga deklaratat e të arrestuarve shihet se, prapaskenat e kësaj ngjarjeje kanë qenë diçka tjetër, për çfarë qytetarët dinë më tepër nga mediet. Këtë, besoj se gjatë procedurës do ta dëshmojmë me prova”, tha Lupço Vasilevski, avokat.

Njëri nga të arrestuarit, Nasuf Beqiri ka thënë se, para së të fillonte përleshja e armatosur më 9 maj të vitit të kaluar, pjesëtarët e grupit kishin urdhër të mos qëllonin në drejtim të policisë, por vetëm t’i paralajmëronin ata me të shtëna në ajër, nëse tentonin t’i arrestonin.

Top Channel