“Kumanova”, familjarët e të akuzuarve kërkojnë ndihmë financiare

11/02/2016 00:00

Familjarët e të akuzuarve për rastin e “Kumanovës” kërkojnë ndihmë për të mbuluar shpenzimet financiare për avokatët e të burgosurve. Ata kanë hapur një fond dhe kanë ftuar të gjithë shqiptarët, të ndihmojnë ish-ushtarët e UÇK-së që u arrestuan në “Lagjen e Trimave”.

“Avokatët i paguajmë ne personalisht, edhe pse disa avokatë shqiptarë kanë thënë se po punojnë në mënyrë humanitare. Sa i përket llogarisë bankare që është hapur, ende nuk ka derdhur askush asnjë cent”, tha Ismail Zekaj, babai i Valdet Zekajt të arrestuar në Kumanovë.

Për shkak të kushteve të rënda nëpër burgjet e Maqedonisë, të arrestuarit, shumica e të cilëve nga Kosova, kërkojnë nga të afërmit e tyre që t’u sjellin ushqime dhe gjëra të tjera në burg. Për të plotësuar nevojat e bijve të tyre, disa nga familjarët kanë qenë të detyruar të marrin kredi, ndërsa një pjesë e tyre thonë se, mezi arrijnë të mbulojnë shpenzimet e rrugës deri në Shkup.

“Unë kam marrë kredi, bashkëshortja ime po ashtu. Jemi futur në kredi për djalin, për t’i mbuluar këto shpenzime. Së paku 200 euro i shpenzoj duke i blerë djalit ushqime, për avokatin dhe për rrugën nga Prizreni në Shkup. Deri më sot nuk na ka ndihmuar askush, asnjë cent ndihmë s’kemi marrë”, tha Besnik Kabashi, babai i Betim Kabashit të arrestuar në Kumanovë.

Të afërmit e të akuzuarve nuk i besojnë sistemit të drejtësisë në Maqedoni, ndaj dhe kërkojnë hetim ndërkombëtar për të zbardhur të vërtetën për rastin e “Kumanovës”.

Top Channel