Beograd, paditet aktivistja serbe. Organizoi një tubim për masakrën e Srebrenicës

11/02/2016 00:00

Një vit më parë, në një nga sheshet e Beogradit bëhej homazh për mbi 8 mijë myslimanë të vrarë në Bosnje. Aktivistët e rinj për të drejtat e njeriut dhe qytetarët e thjeshtë donin të grumbullonin 7.000 vetë, të cilët të shtriheshin përpara Kuvendit të Serbisë, në mënyrë që të kujtonin viktimat.

Por, ky tubim u ndalua nga autoritetet. Aty nuk mungonin radikalët, si Vojisllav Sheshel.

Anita Mitiç, një nga organizatoret e këtij tubimi, ka marrë një padi për kundërvajtje, për shkak të së cilës mund të paguajë nga 100 deri në 1.000 euro gjobë. Ajo thotë se, vet ndalimi i tubimit ka qenë skandaloz, ndërkohë që thotë se debat për krimet ende nuk ka.

“Kryeministri mund të shkojë për homazhe në Srebrenicë, kurse ne nuk mund të bëjmë homazhe dhe debat në Beograd. Ende nuk e dimë se, përse na e ndaluan tubimin atëherë, përveç sigurisë”, tha Anita Mitiç, nga organizata “YIHR”.

Kryeministri serb pati shkuar në Srebrenicë, por kjo nuk u prit mirë. Më vonë, ai ishte sërish atje, ku dha një donacion për qytetin. Por Mitiç thotë se, aktivitetet si të sajat janë të domosdoshme, ndaj dhe ata do të organizojnë sërish të tilla.

“Patjetër që do të organizojmë sërish, pasi këtu shoqëria civile flet prej 20 vitesh lidhur me krimet dhe për atë që ka ndodhur në vitet ’90 në ish-Jugosllavi. Por është e rëndësishme të flitet edhe me qytetarët”, tha aktivistja Anita Mitiç.

“Srebrenica” ngelet një nga temat më të urryera në Serbi. Nëse jo politika, aktivistët thonë se do ta ndryshojnë këtë gjë dhe se do ta kujtojnë në çdo përvjetor.

Top Channel