Samiti i NATO-s, ndërhyrje e aleancës në kufi për refugjatët

11/02/2016 00:00

Në përfundim të takimit të 28 ministrave të Mbrojtjes, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se, Aleanca vendosi të japë mbështetje për krizën e refugjatëve në Egje, duke ndaluar Forcat e Armatosura greke e turke për të vepruar në hapësirën ajrore e detare të njëra-tjetrës.

“Grupi i dytë i ‘Gatishmërisë Detare’ të NATO-s po zhvendoset aktualisht në rajon, nën komandën e Gjermanisë, dhe ka për detyrë të udhëheqë zbulimin, monitorimin dhe mbikëqyrjen për kalimet e paligjshme në detin Egje, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse, duke vendosur një lidhje të drejtpërdrejtë me Agjencinë e menaxhimit kufitar të BE-së, ‘FRONTEX’. Sipas marrëveshjes, Forcat e Armatosura greke e turke nuk do të veprojnë në ujërat territoriale dhe hapësirën ajrore të njëra-tjetrës”, tha Jens Stoltenberg, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Përveç bashkëpunimit të ngushtë me BE-në, NATO vendosi të intensifikojë inteligjencën, zbulimin dhe mbikëqyrjen në kufirin turko-sirian dhe të rrisë aftësinë për shkatërrimin e grupeve terroriste, sipas kërkesës së SHBA-ve, duke forcuar bashkëpunimin e autoriteteve të inteligjencës dhe mbikëqyrjes në këtë kuadër, krahas planifikimit ushtarak të organizatës.

“Kjo është një pjesë kyçe e përgjigjes së NATO-s ndaj kërcënimeve hibride prej Jugut e Lindjes”, tha kreu i Aleancës atlantiko-veriore. Gjatë ministerialit dyditor u ndërmorën gjithashtu hapa “për rritjen e elasticitetit” të vendeve anëtare, duke caktuar kërkesa bazë “në fushat më jetike për çdo lloj krize”, të tilla si “vazhdimësia e qeverisjes, furnizimi me energji, ujë e ushqime, sistemet e transportit, telekomunikacionit dhe rrjeteve kompjuterike”, citoi Stoltenberg.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel