Kosovë, festë dhe protestë në 8-vjetorin e Pavarësisë

11/02/2016 00:00

Në prag të shënimit të 8-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në sheshet kryesore të Prishtinës ende nuk janë vendosur simbolet shtetërore, por në vend të tyre, partitë opozitare vendosën këtë të enjte pankarta me thirrje për protestën e paralajmëruar, pikërisht më 17 Shkurt.

“Një gjë duhet të jetë e qartë për të gjithë. Rezistenca nuk do të ndalet. Ajo që do të ndalet është qeveria”, tha Kreshnik Ahmeti, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Lidhur me dekorimin e shesheve kryesore të kryeqytetit, një ditë më parë zyra e kryeministrit i ka dërguar kërkesë zyrtare nënkryetarit të Prishtinës, Dardan Sejdiu, në të cilën vendosja e simboleve parashikohet të bëhet nga data 15 deri më 17 shkurt, por ende është marrë ndonjë përgjigje.

“Vendosjen e pankartave në sheshin qendror të Prishtinës, nga grupet politike, e vlerësojmë si një uzurpim të hapësirës publike. Thjesht vlerësojmë se në një ditë të tillë përvjetori, duhet t’u lihet hapësirë institucioneve dhe qytetarëve për të kremtuar ditën e Pavarësisë së Kosovës”, tha Faton Peçi, anëtar i Këshillit organizativ për shënimin e 8-vjetorit të Pavarësisë, nga Qeveria e Kosovës.

Duke folur për axhendën e 17 Shkurtit, Peçi konfirmoi se, ceremonitë fillojnë me parakalimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në sheshet kryesore, më pas do të ketë homazhe të krerëve të shtetit te varri i Presidentit historik, Ibrahim Rugova, por edhe në Prekaz, te komandanti legjendar Adem Jashari, si dhe aktivitete të tjera kulturore dhe sportive.

Top Channel