Vërtetohet teoria e Ajnshtajnit

11/02/2016 18:50

Shkencëtarët besojnë se kanë vërtetuar teorinë e Ajnshtajnit mbi relativitetin e përgjithshëm. Shkencëtari fliste një shekull më parë për valë gravitacionale, ekzistenca e të cilave vetëm tani u provua.

Paneli i shkencëtarëve mbërriti në këtë përfundim gjatë vëzhgimit të shtrirjes së kohës dhe hapësirës pas përplasjes dhe shkrirjes së dy vrimave të zeza më shumë se një miliardë vite dritë larg Tokës.

Grupi i shkencëtarëve ndërkombëtarë thotë se kjo është e para herë që provohet ekzistenca e atyre që Ajnshtajni i ka quajtur “valë gravitacionale”, që janë ndryshimi i shtrirjes kohë-hapësirë në varësi të përforcimit dhe zbehjes së fushës së gravitetit. Sa më e madhe të jetë fusha e gravitetit, aq më e vogël është shtrirja kohë-hapësirë dhe e kundërta, ose sipas parimit të Ajnshtajnit, “koha rrjedh më ngadalë atje ku graviteti është më i ulët”.

Kapja e valëve gravitacionale është e vështirë pasi sinjali i tyre në tokë mbërrin i dobët nëse nuk bëhet fjalë për një aktivitet gravitacional “normal”, por përplasja e dy vrimave të zeza duket se ka qenë “hajmalia” e shkencëtarëve.

“Kemi rënë në gjurmët e valëve gravitacionale. Kjo është hera e parë që universi na flet përmes valëve gravitacionale. Deri më tani ishim të shurdhër”, deklaroi i emocionuar David Reitze, drejtor ekzekutiv i projektit LIGO, i angazhuar në studim prej vitesh.

Për të kuptuar rëndësinë e zbulimit mjafton të përmendet komenti i Karsten Danzmann, një fizikant gjerman dhe një ndër emrat më me peshë në këtë fushë.

“Ky është zbulimi më i madh në fizikë që nga koha e zbulimit të grimcës së Higgs-it. Ky zbulim është për çmim Nobel dhe as që duhet të diskutohet fare për këtë”, thotë ai.

Albert Ajnshtajni foli për ekzistencën e valëve gravitacionale thuajse 100 vjet më parë. Ajnshtajni parashikoi se nëse graviteti apo forca e rëndesës në një zonë të universit ndryshon befas si pasojë e një evenimenti të dhunshëm kozmik, si shpërthimi i një yli, apo në këtë rast përplasja e dy vrimave të zeza, krijohen valë gravitacionale që përhapen me shpejtësinë e dritës në të gjithë universin duke deformuar kohën dhe hapësirën gjatë lëvizjes së tyre.

Valët gravitacionale u kapën më 14 shtator të vitit të kaluar, por grupi i shkencëtarëve vendosi të publikojë raportin me gjetjet e veta vetëm tani pasi konsultimit me një panel prej 1000 fizikantësh dhe astronomësh më me emër në botë.

Top Channel