Athina përshëndet vendimin e NATO-s për patrullimin në Egje

11/02/2016 00:00

Athina zyrtare ka pritur me kënaqësi vendimin e Aleancës së Atlantikut të Veriut (NATO) për të dërguar menjëherë forca detare në Egje, për të ndihmuar në ndalimin e aktivitetit të trafikantëve të refugjatëve nga Turqia për në Greqi, si dhe mbikëqyrjes së rrugëve detare të paligjshme, që përdorin këto rrjete.

Vendimi, i cili është përshëndetur edhe nga KE, sipas ministrit grek të Mbrojtjes, Panos Kamenos, mbyll kapitullin e emigracionit të paligjshëm, pasi u jep të drejtën trupave turke që marrin pjesë në forcën e përbashkët të NATO-s me komandë gjermane, të veprojnë në bregdetin turk dhe të arrestojnë e kthejnë pas emigrantët ilegalë, ndërsa edhe trupat greke do të veprojnë brenda hapësires ajore dhe detare të Greqisë.

“Greqia po ruan kufijtë e saj. Ne jemi këtu 24 orë në ditë, me 10 minuta gjumë. Ne jemi atje. Detyra jonë është për t’i shpëtuar dhe për t’i transportuar ata në mënyrë të sigurtë në breg. Pas kësaj vijon procedura e identifikimit dhe regjistrimit të emigrantëve”, tha Argyris Frangoulis, roje bregdetare.

Sipas Athinës zyrtare, në një fazë të dytë, vendet anëtare të NATO-s që janë edhe anëtare të BE-së fillojnë, me këtë vendim, të vënë në lëvizje edhe Agjencinë e ruajtjes së kufijve europianë “FRONTEX”, në mënyrë që të mos operojë vetëm në ishujt grekë, por edhe pranë brigjeve turke, veprim që e shndërron atë në një forcë detare europiane, që do të ruajë kufijtë e BE-së.

Edhe ministri grek për emigracionin ka deklaruar se, Greqia ka paguar shumë shtrenjtë, rreth një miliard euro, krizën e refugjatëve, e ndodhur vet në një krizë ekonomike shumëvjeçare, duke theksuar se Athina po i bën presion Brukselit për të rritur ndihmën ekonomike.

Top Channel