Sadiku: Refuzova Bundesliga-n për të qenë në Europian

11/02/2016 00:00

“Dua të luaj në Euro 2016. Kjo është një ëndërr e çdo fëmije që dashuron futbollin dhe për këtë kam refuzuar edhe kalimin në Bundesliga-n gjermane”.

Kështu është shprehur sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku, kur është pyetur në lidhje me transferimin e tij gjatë merkatos së janarit te ekipi i Vaduzit, duke u larguar nga Zyrihu, pasi nuk e kishte të sigurt vendin në formacion.

Sulmuesi nga Elbasani ka thënë se nuk është e vërtetë që trajneri Sami Hyypia apo presidenti Capena, nuk kanë qenë të kënaqur me performancat e tij, thjesht drejtuesit më të lartë të Zyrihut ia kanë plotësuar dëshirën sulmuesit duke qenë se nuk e kishte të sigurtë vendin e titullarit. Ai ka dashur të luajë në vazhdimësi në prag të “Euro 2016”, ku dëshiron të ketë një rol protagonisti me fanellën kuqezi.

“Unë jam realist dhe pragmatist. Më ka kërkuar edhe një skuadër e Bundesliga-s, por preferova të shkoja te Vaduzi, sepse vetëm te kjo skuadër e kisha të sigurtë vendin e titullarit. Kanë mbetur edhe katër muaj nga starti i Europianit dhe unë dua që të shkoj në këtë kompeticion në formën më të mirë. Pjesëmarrja në një event madhor është ëndërr e çdo fëmije që dashuron futbollin. Është një mundësi e mrekullueshme që të jepet për të përfaqësuar vendin tonë në një skenë kaq të madhe të futbollit. Kur të përfundojë ky turne, do të kthehem sërish te Zyrihu”, tha sulmuesi i Kombëtares.

Armando Sadiku shënoi dy gola në ndeshjen e parë me Vadusin, si dhe dhuroi edhe dy asiste për shokët e ekipit, duke bërë një nisje të shkëlqyer të aventurës së tij të re.

Top Channel