Indiferentizëm për Kelmendin; kampionen e botës nuk e pret askush në Prishtinë

11/02/2016 00:00

Kampionia e botës në xhudo, Majlinda Kelmendi vazhdon të përballet me indiferentizmin e drejtuesve të sportit dhe politikës në Kosovë.

24-vjeçarja nga Peja, e cila së fundmi mori medaljen e artë në Grand Slamin e Parisit, nuk u prit nga asnjë zyrtar në aeroportin e Prishtinës.

“Kjo nuk është hera e parë që nuk na kanë dalë të na presin, kështu që jemi mësuar tashmë që të vijmë në Prishtinë në mënyrë të thjeshtë. E rëndësishme është që populli i Kosovës po i ndjekë dhe kjo është më e rëndësishmja që t’i bëjë ata sa më krenarë”, shprehet Kelmendi.

Kelmendi tregon edhe arsyen e përlotjes gjatë ceremonisë së dhënies së medaljve në Paris.

Një ditë para garës jam dëmtuar dhe nuk e kam ditur nëse do të marrë pjesë në garë apo jo. Kur arrita fitoren ishte një emocion i madh”, shprehet Majlinda.

Edhe pse mposhti në finale rumunen Andrea Chitu, sportistja nga Kosova vazhdon të qëndrojë në vendin e dytë në renditjen botërore. Por, për 24-vjeçaren Kelmendi kjo gjë nuk përbën problem.

“Mjafton që të jem në katër vendet e para për shkak të Lojërave Olimpike. Me rëndësi janë kampionatet, ndërsa renditja nuk ka shumë rëndësi”, thotë xhudistja kosovare.

Majlinda Kelmendi është sportistja e parë shqiptare që ka siguruar me kualifikim pjesmarrjen në Lojërat Olimpike “Rio 2016”.

Top Channel