Messi ka blerë Ferrari për 32 milionë euro? Ja përgjigja e yllit të Barçës

12/02/2016 00:00

Leo Messi u përfol se ishte personi që pagoi 32 milionë euro për një Ferrari, në një ankand të zhvilluar javën e kaluar në Francë dhe ku u tha se kishte mundur në ankand rivalin e tij, Cristiano Ronaldo.

Argjentinasi bëri shaka me këto zëra, duke postuar në Instagram një foto ku shihej me një makinë të kuqe lodër në dorë: “Makina ime e re”.

Bëhet fjalë për një Ferrari 335 S Spider Scaglietti, që me blerjen 32 milionë euroshe javën e kaluar është kthyer në makinën më të shtrenjtë në botë.

Legjendari Ferrari 335 S Spider Scaglietti arriti të kapte 300 km/h në vitin e largët 1957, një arritje e jashtëzakonshme për kohën. Kjo makinë ka përfunduar në vendin e dytë në Mille Miglia, para se një vit më vonë të bëhej makina e parë që e përshkonte pistën e Lë Manshit me shpejtësinë mesatare 200 km/h.

Kjo makinë ishte blerë në vitin 1970 nga piloti dhe koleksionisti francez Pierre Bardinon, i cili vdiq në vitin 2012 dhe tashmë familja e tij vendosi ta shiste perlën e koleksionit. Nuk dihet identiteti i blerësit.

Marcel Massini, një ekspert i historisë së Ferrarit, e ka përshkruar makinën si “maksimumin e maksimumit”.

Rekordin e mëparshëm si makina më e shtrenjtë në botë e mbante sërish një Ferrari. Në vitin 2014, Ferrari 250 GTO e vitit 1962 u shit për 28 milionë euro.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel