Juve-Napoli, sfidë edhe e dyshes Dybala-Higuain

12/02/2016 12:00

Të shtunën në mbrëmje do të luhet sfida mes Juventusit dhe Napolit, dy skuadrat që kryesojnë kampionatin italian të futbollit.

Është një përballje që ka brenda saj edhe minisfidën mes dy yjeve argjentinas të të dyja skuadrave, Paulo Dybala dhe Gonzalo Higuain. Pikërisht te këta dy futbollistë do të bazojnë lojën e tyre trajnerët Allegri dhe Sarri, për të tentuar marrjen e 3 pikëve që mund të rezultojnë vendimtare në luftën për titullin, por që mund të kenë edhe një vlerë morale, pasi si Juventusi ashtu edhe Napoli do të kërkojnë të vazhdojnë serinë e sukseseve.

Higuain dhe Dybala për më tepër kryesojnë edhe listën e golashënuesve të Serisë A. Në fakt, Higuain ka 24 gola të shënuar dhe 2 asist, ndërsa Dybala 13 gola dhe 8 asist. 

Por në “Juventus Stadium” statistikat personale të tyre do të kenë shumë pak vlera, argjentinasit e Napolit dhe “Zonjës së Vjetër” do të kërkojnë vetëm fitoren e skuadrave të tyre respektive me çdo kusht.

Top Channel