Emigrantët, BE i jep 3 muaj kohë Greqisë, në të kundërt…

12/02/2016 13:20

Greqia ka 3 muaj kohë që të përforcojë kontrollet e kufijve të saj për të zbutu fluksin e emigrantëve që përdorin tokën helene si trampolinë për në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Ky është afati i dhënë nga Brukseli, i cili ka kaluar nga paralajmërimi drejt masave konkrete për Athinën, në të kundërt, Greqia do të përballet me masa që shkojnë deri në pezullimin e saj prej zonës Shengen.

Kërcënimi i BE-së mbërrin dy javë pas publikimit të një raporti që akuzonte Greqinë se ka shpërfillur detyrimet e saj dhe se, në ndërmarrjen e kontrolleve kufitare ka mangësi serioze, të cilat autoritetet greke duhet t’i kapërcejnë.

Raporti i miratuar pas diskutimesh të gjata, përbën një hap kyç përpara, drejt shtrirjes së kontrolleve në kufijtë e disa prej vendeve anëtare të Shengenit për një periudhë gati dyvjeçare.

Ai shënon praktikisht hapin e parë të 4 etapave të procesit të përgatitjes për aktivizimin e nenit 26 të kodit Shengen.

Dokumenti, sipas zv.presidentit të Komisionit Europian, Valdis Dombrovskis, rreshton dështimet e autoriteteve helene në regjistrimin, marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe verifikimin e identitetit të emigrantëve.

Më shumë se 850 mijë emigrantë dhe refugjatë kanë mbërritur në Greqi vitin e kaluar, e 44 mijë të tjerë kanë zbarkuar në ishujt grekë që nga fillimi i 2016-s. Pjesa më e madhe e këtyre njerëzve kanë prekur tokën në ishujt e Lesbosit, Samosit dhe Kiosit, pas nisjes nga Turqia.

Top Channel