FIFA përjashton për 12 vite Jerome Valcke

12/02/2016 00:00

Ish-krahu i djathtë i Sepp Blatterit për një kohë të gjatë, Jerome Valcke është përjashtuar prej kësaj të premteje, për 12 vite nga të gjitha aktivitetet e lidhura me ngjarje sportive, për sjellje të pahijshme gjatë mandatit të tij si sekretar i Përgjithshëm i FIFA-s.

Valcke u shpall fajtor nga Komiteti i Etikës së FIFA-s mbi një sërë akuzash, përfshi përdorimin e avionëve privatë për përdorim personal, shkatërrimin e provave dhe përpjekjen për të detyruar shitjen nën vlerën e duhur të të drejtave televizive të botërorëve të viteve 2018 dhe 2022 për Karaibet.

“Valcke ka vepruar kundër interesit më të mirë të FIFA-s dhe ka shkaktuar dëme të konsiderueshme financiare ndaj organizmit më të lartë të futbollit botëror, teksa interesat e tij private dhe personale e kanë shpërqëndruar atë nga aftësia për të vepruar siç duhej në detyrën e tij”, shkruan në një deklaratë Komiteti i Etikës.

Përjashtimi i Valckes është 4 vite më shumë sesa sanksionet 8-vjeçare që u janë dhënë presidentit në largim të FIFA-s, Joseph Blatter, si dhe presidentit aktual të UEFA-s, Michel Platini, që prej muajit dhjetor të vitit të kaluar, për shkak të konfliktit të interesit.

Sipas vendimit të Etikës, Valcke ka shkelur 7 seksione të Kodit të Etikës së FIFA-s, krahasuar me 4 të tilla të shkelura prej Blatterit dhe Platinisë, respektivisht, ndaj dhe është gjobitur edhe me një shumë prej 100 mijë frangash zvicerane.

Top Channel