Guardiola: Robben ende lojtar kyç për Bayern-in

12/02/2016 00:00

Pavarësisht zërave të fundit që kanë dalë kundër holandezit, është trajneri Pep Guardiola që insiston se Arjen Robben vazhdon të mbetet një prej lojtarëve më të rëndësishëm të Bayern Munchen.

Holandezi është aktivizuar vetëm në 10 takime këtë sezon në Bundesligë për shkak të problemeve të vazhdueshme me dëmtimet, ndërsa kanë befasuar me paraqitjet e tyre nga krahët Douglas Costa dhe Kingsley Coman.

Persona pranë kampionëve të Gjermanisë janë shprehur se Bayern-i mund të jetë më mirë pa 32-vjeçarin, por Guardiola ka dalë në mbrojtje të holandezit.

“Arjen Robben ka nevojë për kohë që të kthehet në formën më të mirë. Por, ai është shumë me rëndësi për mua me dëshirën e tij për të shkuar përpara dhe forcën në përballjet një për një”, tha trajneri spanjoll.

Guardiola foli gjithashtu edhe për Carlo Ancelotti, trajnerin që do të marrë vitin e ardhshëm drejtimin e Bayernit, duke thënë se për të nuk ka asnjë problem që italiani të takohet me zyrtarët e klubit.

“Është normale që ai të vizitojë Mynihun. Për mua nuk ka asnjë problem”, tha Pep, i cili sezonin e ardhshëm do të jetë në stolin e Manchester City-t.

Top Channel