Roma vuan, por fiton 1-3 ndaj Carpit

12/02/2016 00:00

Mjaftuan vetëm dy minuta në çastet e fundit të ndeshjes Carpi-Roma që skuadra e Spalletit të siguronte fitoren e katërt rresht duke dhënë sinjale të rëndësishme ndaj rivalëve në garën për një vend në Champions League.

Kryeqytetasit hasën shumë vështirësi në transfertën kundër debutuesve por falë formës së shkëlqyer të Mouhamed Salah gjetën suksesin me rezultatin 3-1. Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura edhe pse Carpi tentoi të jepte sinjale të rrezikshme në portën e verdhekuqve.

Francezi Digne zhbllokoi sfidën në minutën e 56 me një gol që i dha oksigjen ekipit të Spalletit, por Lasagna gjeti rrugën e rrjetës për të barazuar llogaritë.

Naingolan, Pjanic dhe Salah transformuan fytyrën e skuadrës së Spalletit që e kërkoi me ngulm golin dhe arriti ta realizonte në minutën e 84 me Dzekon por merita kryesore shkon për egjiptianin.

Pak sekonda më vonë, sulmuesi afrikan mbylli përfundimisht takimin duke i dhuruar tre pikë të arta Romës që ngjitet përkohësisht në vendin e tretë të klasifikimit me 47 pikë, një më shumë se Fiorentina dhe dy më shumë se Interi që do të ndeshen të dielën në “Artemio Franchi”.

Top Channel