Socialistët zgjedhin delegatët, sot votohet në 4 qarqe

13/02/2016 00:00

34 mijë anëtarë të Partisë Socialiste në qarqet Elbasan, Fier, Korçë dhe Berat janë ftuar këtë të shtunë në procesin e votimit të delegatëve të kongresit të 19 marsit. Nga procesi zgjedhor i kësaj të shtune do të dalin në total 336 delegatët e parë sipas parimit “një anëtar, një votë”.

Baza socialiste voton në katër qarqe këtë të shtunë, në Elbasan, Berat, Fier dhe Korçë.

“Më shumë se 34 mijë anëtarë të këtyre 4 qarqeve, prej të cilëve 5 mijë anëtarë partie të Qarkut të Beratit, 8 mijë e 800 anëtarë të Qarkut Elbasan, 12 mijë anëtarë të Qarkut Fier dhe 8300 anëtarë partie të Qarkut Korçë, do të zgjedhin 49 delegatë në Berat, 87 delegatë në Elbasan, 118 delegatë në Fier dhe 82 delegatë në Korçë’, deklaroi Sekretari Organizativ i PS-së, Blendi Klosi.

Në të katër qarqet konkurrojnë 1 mijë kandidatë të propozuar nga anëtarësia e partisë e 23 bashkive, që në total kanë në përbërje 151 njësi administrative.

Blendi Klosi tha se sipas kritereve të përcaktuara, 50 përqind e kandidaturave janë femra, ku një e treta e tyre janë të moshës 18 – 25 vjeç.

Një tjetër kriter i përmbushur, shton Sekretari Organizativ në PS, është edhe ai që jo më shumë se 40 përqind e kandidatëve për delegatë të Kongresit të kenë një funksion shtetëror, si dhe kriteri që ata të kenë vlera morale e shoqërore dhe pastërti ligjore të figurës së tyre.

Sipas Klosit, kandidatët e propozuar janë me arsim të lartë dhe mjaft prej tyre edhe me kualifikime pasuniversitare.

Kryeministri Edi Rama, ndoqi fillimisht nga Fieri procesin e zgjedhjes së delegatëve dhe më pas u zhvendos në Elbasan. Ai falenderoi përmes rrjeteve sociale anëtarësinë për pjesëmarrjen masive në votime.

“Mirënjohje socialistëve që megjithë shiun, po votojnë në masë delegatët e Kongresit në qarqet Fier, Elbasan, Korçë dhe Berat”, shkruan Rama.

Kryeministri mbyll postimin duke u përgjigjur edhe kritikuesve të procesit, brenda dhe jashtë partisë: “Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara”.

Ndërkohë, Ben Blushi, i cili kërkon të ketë garë për zgjedhjen e kryetarit ndodhet në Elbasan për të parë votimin e delegatëve.

Top Channel