Tiranë, homazhe tek ambasada polake

12/04/2010 21:10

Ambasada e Polonisë në Tiranë ishte e hapur për homazhe. Një foto e presidentit të ndjerë dhe zonjës së parë, që humbën jetën në aksidentin tragjik, si edhe Libri i Zisë, ku cdokush mund të linte një shënim.

Në ambasadë u paraqitën zyrtarë të lartë dhe përfaqësues të trupit diplomatik. Presidenti i Republikës Bamir Topi u përkul me respekt përpara fotos së çiftit të ndjerë Kaczynski.

Ai e kishte njohur personalisht Presidentin Kaczynski, për të cilin tha se kishte qenë një mik i Shqipërisë.

“Ka qenë një mbështetës i madh i integrimit të Shqipërisë qoftë në NATO, por edhe në Bashkimin Evropian. Kujtimin e fundit e kam nga dreka ceremoniale me rastin e inaugurimit të presidentit të Kroacisë, Josipoviç ku për koinçidencë, presidentin Kaczynski dhe bashkëshorten i kam pasur shumë afër ku edhe njëherë diskutuam për marrëdhëniet midis dy vendeve tona, diskutuam për mundësinë e vizitave. Janë momente që nuk shlyhen nga kujtesa”, eshte shprehur Topi.

Ndersa kryeministri Berisha tha se në aksident humbën jetën një sërë miqsh të Shqipërisë. Ai konfirmoi se miku i Shqipërisë, presidenti Kaczynski, do të vinte për vizitë në Tiranë.

“Sot ne zi nuk eshte vetem kombi i madh polak. Shqiptaret ndajne kete dhimbje te madhe me kombin mik dhe qeverine polake. Ne kete tragjedi ata kane humbur miq te medhenj dhe te cmuar. Me kryesori eshte presidenti Kaczynski, i cili do vizitonte Shqiperine”, ka deklaruar Berisha.

Për homazhe në ambasadën polake ishte në mesditë edhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila në në emrin e saj personal por edhe të Kuvendit të Shqipërisë shprehu ngushëllimet ndaj familjes së presidentit Lech Kaczynsky, zonjës së parë Maria, familjeve të të gjithë deputetëve dhe delegacionit shtetëror që e shoqëronte.

Në ambasadën polake bënë homazhe edhe deputetët socialistë Gramoz Ruci, Arta Dade dhe Fatmir Xhafaj. Ata shprehën ngushëllimet e Partisë Socialiste.

Top Channel