Vizat, Basha seancë dëgjimore në Bruksel

13/04/2010 08:50

Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, do të niset sot për një vizitë zyrtare në Bruksel. Ministri Basha është ftuar në një seancë dëgjimore që do të zhvillohet në datën 14 prill 2010 nga Komisioni për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian.

Në këtë seancë, ministri Basha do të paraqesë arritjet e Shqipërisë në përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe proceset integruese të vendit.

Basha do të njohë drejtuesit dhe anëtarët e Komisionit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme të Parlamentit Europian me arritjet e Ministrisë së Brendshme në kuadër të liberalizimit të vizave në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit kufitar, rendit publik dhe sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër kriminalitetit.

Gjatë vizitës në Bruksel, ministri i Brendshëm Z. Lulzim Basha, do të zhvillojë edhe një takim të veçantë me komisioneren për Cështjet e Brendshme të Komisionit Europian, znj. Cecilia Malstrom.

Vizita e Bashës në kryeqendrën e diplomacisë europiane vjen në një moment shumë deciziv për zhvillimet në raport me procesin e liberalizimit të vizave.

Në mes të muajit do të publikohet raporti i Komisionit Europian për monitorimin që i është bërë Shqipërisë në zbatimin e pikave dhe detyrimeve të udhërrëfyesit për liberalizimin.

Ky qëndrim do të mund të konkretizohet më pas më 2 qershor kur do të propozohet ose jo heqja e vizave për Shqipërinë.  

Top Channel