Kinë, tërmet në veriperëndim, 300 viktima

14/04/2010 08:55

Kina tronditet nga një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.1 gradë i shkallës Rihter që deri tani ka shkaktuar rreth 300 viktima dhe 8 mijë të plagosur. Rajoni më i goditur është ai veriperëndimor i Qinghait.

Sipas zv/sekretarit të qeverisë së prefekturës së pavarur tibetiane Jushu, shumë njerëz janë ende poshtë gërmadhave të shtëpive të rrënuara. “Nuk kemi ekskavatorë për të gërmuar dhe këtë e bëjmë me duar”, thekson Hung Limin.

Ai shton se deri në këto momente janë nxjerrë të gjallë nga rrënojat rreth 900 persona, ndërsa në operacion marrin pjesë edhe 700 ushtarë. Mes viktimave ka shumë fëmijë të shkollave fillore, të cilët ndodheshin në klasa gjatë momentit të tërmetit.

Epiqendra e tërmetit është lokalizuar në Jiegu ku 85 % e banesave janë shkatërruar. Sizma është lokalizuar në orën 7:49 me atë lokale dhe u pasua nga lëkundje të tjera. Jiegu ndodhet rreth 800 km nga kryeqendra e provincës Xining në një zonë malore, cka e bën më të vështirë furnizimin me ndihma.

Top Channel