Berisha pas Brukselit: Gati të takoj Ramën

16/04/2010 08:25

Jam i gatshëm të takohem me kryetarin e opozitës, Edi Rama, në çdo moment, për të mos penguar procesin e integrimit dhe liberalizimit të vizave.

Kjo ishte deklarata që bëri Kryeministri Berisha pas takimeve intensive në Bruksel me krerët më të lartë të institucioneve europiane.

“Nuk besoj se opozita do të bëjë kalë beteje bllokimin e liberalizimit dhe integrimit. Jam i gatshëm të ulem që nesër me Ramën, në çdo orë dhe moment për të bashkëpunuar për këto projekte të rëndësishme për vendin”, u shpreh ai.

Sakaq, Berisha theksoi se ai ishte i gatshëm të takohej me Ramën edhe si kryebashkiak, për projektin e sheshit “Skënderbej” dhe Unazën e Madhe të Tiranës.

Berisha pohoi se ai kishte zhvilluar një takim edhe me arkitektët belgë, të cilët kanë projektuar qendrën e re të Tiranës.

“Ata dy arkitektë u shprehën se ai projekt nuk mund të zbatohet pa bashkëpunimin e qeverisë dhe opozitës, dhe unë ju shpreha gatishmërinë time për bashkëpunim”, tha Berisha.

Referuar protestave të opozitës, Kryeministri tha se nuk u trembej atyre. Në Bruksel Berisha zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit Europian, Jerzy Buzek.

Top Channel