Hiri vullkanik, nuk rrezikon “Discovery”

18/04/2010 16:05

Reja gjigande e hirit vullkanik që ka trazuar trafikun ajror në Europë, nuk do të ketë asnjë efekt mbi anijen kozmikë “Discovery” në zbritjen e saj për në tokë, planifikuar për të hënën.

Ekspertët e NASA-s janë të bindur se udhëtimi i “Discovery” nuk do të cënohet prej tymit të vullkanit islandez.

Pasi të hyjë në atmosferën e tokës, mëngjesin e së hënës, anija hapësinore do të fluturojë mbi Paqësor para se të ulet në qendrën hapësinore “Kennedy” të Floridas. Trajektorja e saj duket se është jashtë lëvizjes së hirit vullkanik.

NASA pret gjithashtu që ekuipazhi i “Discovery” të sjellë foto të marra nga lart të resë së hirit vullkanik që ka mbuluar qiejt e Europës Veriore.

“Disciovery” dhe astronautët e saj, ndër të cilat katër femra u larguan nga stacioni hapësinor ndërkombëtar të shtunën pasi përmbushi misionin 10 ditor. Detyra e ekuipazhit të saj gjatë kësaj kohe ishte montimi i një çisterne të re amoniaku për sistemin e ftohjes së ISS-së.

Prania e 4 astronauteve femra në bord e ktheu në një rekord botëror misionin e “Discovery”, një ndër të fundit për anijen kozmike.

Top Channel