Retë nga hiri vullkanik i Islandës nuk pritet të arrijnë deri në Maqedoni, kanë bërë të ditur përfaësuesit e Drejtorisë Hidrometeorologjike në Shkup, duke u bazuar në parashikimet  e qendrës për vëzhgimin e aktiviteteve vullkanike në Londër.

Sipas tyre, për shkak të rrymës jugperëndimore, pritet që retë përmes Sllovenisë, Kroacisë dhe pjesës veriore të Serbisë, të lëvizin në drejtim të Rusisë.

Situata ndiqet vazhdimisht përmes parashikimeve që azhornohen në ç’do gjashtë orë. Nga enti hidrometeorologjik në Shkup shprehen të gatshëm të ndërmarrin të gjitha masat e duhura nëse do të ketë zhvillime të papritura.

Krerët e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë njoftuar se shëndeti i qytetarëve nuk rrezikohet. Për shkak të mbylljes së aeroperteve në Europë dhe hapësirës ajrore, komunikacioni është reduktuar në minimun.

Të gjitha fluturimet nga aeroporti i Shkupit sot janë anuluar përveç atyre për në Stamboll. Në pajtueshmëri me ligjin për Komunikacionin ajror, Drejtoria për Fluturime Civile i ka njoftuar të gjithë pasagjërët, se në rast të anulimit të fluturimeve aviotransportuesit janë të detyruar t’i dëmshpërblejnë ata.

Top Channel