Rama: Grevistët ushqehen me aspirata

10/05/2010 19:35

Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalën e tij në protestën e sotme të opozitës, ka deklaruar se e vetmja gjë që mban gjallë grevistët është uria për liritë dhe të drejtat e njeriut, të cilat sipas tij dhunohen sistematikisht nga qeveria.

“Jemi të tërë pa ngrënë pasi kemi një uri më të madhe, atë të një populli të tërë për liri dhe të drejta që vazhdojnë të jenë të paplotësuara, të kërcënuara dhe të rrezikuara”, ka pohuar Rama.

Kreu i PS u ka shprehur mirënjohjen e tij të thellë grevistëve, të cilët sipas tij po e cojnë përpara nismën e tyre vetëm për aspiratat e mëdha.

“Mirënjohje të gjithëve. Dashuri dhe admirim për cdo njërin nga grevistët, që po e conjë para nismën e tyre dhe që e mbajnë trupin me ushqimin e aspiratave të mëdha. Nuk ka pasuri më të madhë se aspiratat. Ky është ndryshimi mes nesh dhe atyre që nga zyrat e ndjejnë dita ditës se në këtë përballje të humburit nuk janë ata që po rrijnë pa ngrënë, por janë ata që i shkelmojnë përditë liritë dhe të drejtat sepse janë të pangopur”, është shprehur Rama.

Më tej lideri i opozitës ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Berisha, duke e krahasuar atë me diktatorin komunist Enver Hoxha.

“Enveri dhe Berisha nuk janë asgjë tjetër përvecse i njëjti produkt. Kjo qeveri nuk buron nga vullneti i popullit, por nga fuqia për të tjetërsuar votën”, ka shtuar Rama.

Top Channel