Rama: Ja kushtet për zgjidhjen e krizës

10/05/2010 21:45

Kryetari i PS, Edi Rama ka deklaruar se protesta e opozitës që ka arritur kulmin me grevën e urisë mund të ndalet vetëm nëse mazhoranca plotëson kërkesat e opozitës, që kanë të bëjnë me transparencën.

Duke folur në emisionin “Shqip” në Top Channel, Rama ka paraqitur edhe kushtet e PS, mes të cilave spikat hapja e kutive të votimit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

“Pika e parë është transparenca e pakushtëzuar e procesit zgjedhor. Pika e dytë ka të bëjë me transparencën në funksion të Kuvendit, për të realizuar komisione hetimore të përbashkëta dhe cështja tjetër ka të bëjë me lirinë e informacionit në media, duke bërë transparencë përmes KKRT, duke garantuar transparencë për të gjithë. Cfarë ka këtu që nuk shkon?”, ka pohuar Rama.

Një tjetër kusht që opozita kërkon, sipas liderit të saj, është edhe transparenca me emërimet për Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese, si dhe zbardhja e vrasjes së deputetit të PS, Fatmir Xhindi.

“Transparencë për ata kandidatë që do të ulen në gjykatat e vendit, të bëhet transparenca me të dhënat e sakta të situatës ekonomike, që ne nesër të mos gjendemi si Greqia dhe që të mos biem në një humnerë të pafund. E fundit është transparenca mbi vrasjen e një deputeti. Nuk kemi akuzuar askënd, por për sa kohë mbi këtë ngjarje bien hije misteri, do të thotë se ka qenë një vrasje politike. Ku bie ndesh gjëkundi qëndrimi i PS?”, ka nënvizuar Rama.

Rama ka shtuar më tej se me hapjen e kutive PS nuk kërkon marrjen e pushtetit, por garantimin që zgjedhjet e ardhshme të mos grabiten më, gjë që sipas tij do të sillte degradimin e demokracisë në vend.

“Përkundrazi, këto transparenca garantojnë shqiptarët dhe e sjellim gjënë aty ku duhet të jetë dhe aty ku e kanë të gjithë të tjerët, tek liria e procesit zgjedhor. Hapja e kutive nuk ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve. Hapja e kutive ka të bëjë me garancinë që zgjedhjet e ardhshme të mos vidhen, pasi nëse kjo ndodh sjell në degradimin e demokracisë sepse pushteti nuk ka asnjë varësi nga gjykimi i popullit”, ka shtuar Rama.

Top Channel