Socialistët e Shkodrës marshojnë në Tiranë

12/05/2010 19:05

Simpatizantë dhe anëtarë të Partisë Socialiste nga Shkodra kanë nisur rreth orës 17.00 protestën e radhës së Partisë Socialiste.

Ata janë nisur nga stacioni i trenit dhe kanë marshuar drejt bulevardit “Zogu i Parë” dhe më pas në atë “Dëshmorët e Kombit” për të mbështetur deputetët grevistë, sot në ditën e 13-të të grevës së urisë.

Me pankarta dhe flamuj në duar, protestuesit kanë përshkuar të dy bulevardet kryesore të Tiranës duke hedhur parrulla kundër qeverisë, si edhe duke mbështetur grevistët.

Ata kanë bllokuar për disa minuta të gjitha kryqëzimet që kanë kaluar. Më pas protestuesit e Shkodrës kanë mbërritur pranë cadrave të ngritura ku zhvillohet edhe greva e urisë, nga ku ka nisur edhe protesta e radhës përpara kryeministrisë. Gjatë marshimit të ardhurit nga Shkodra janë shoqëruar nga forca të shumta policie.

Top Channel