Rama: Të mos ngrihet dorë ndaj opozitës

13/05/2010 20:05

Kryetari i PS, Edi Rama, në fjalimin e tij në protestën e sotme të opozitës, i ka bërë një apel policisë së shtetit që të mos ngrejë dorë ndaj deputetëve dhe mbështetësve të opozitës.

Duke iu referuar përplasjeve të djeshme në qytetin e Korcës, Rama ka paralajmëruar drejtuesit e policisë se pushtete të tilla që vijnë duke grabitur votën nuk e kanë jetën e gjatë.

“Të gjithë, pa përjashtim të gjithë ata që sot marrin rrogën e shtetit për t’i shërbyer qytetarëve duke garantuar ligjin, duhet ta fusin mirë në mendje se historia e ka treguar se pushtete të tilla janë pushtete që bien shumë më shpejtë”, ka deklaruar Rama.

Lideri i opozitës ka hedhur kritika të ashpra ndaj ministrit të Brendshëm Lulzim Basha për këtë reagim të dhunshëm të forcave të rendit.

“Unë nuk them se ministrit të Brendshëm duhet t’i vijë turp për incidentin e djeshëm me Pandeli Majkon, sepse ky ministër është shëmbëlltyra më e qartë e këtij pushteti në kërkim, që ka bërë abuzimin më të madh. Nuk ka turp më të madh”, ka pohuar Rama.

Ai ka theksuar se nga veprimi i policisë në bazë të interesave të qeverisë, ka bërë që kjo e fundit të mos e ketë mendjen tek krimet e rënda, si ajo e nxënëses që u vra në mes të klasës.

“Vritet nxënësja në klasë, vriten njerëzit me njëri-tjetrin dhe nuk ka asnjë komunikatë se cfarë ndodhi. Kjo gjë bëhet vetëm e vetëm për t’i bërë presion protestuesve të opozitës, ky është turp”, ka theksuar Rama.

Lideri i opozitës ka akuzuar qeverinë edhe për afera korruptive, të cilat sipas tij janë konkretizuar me shitjen e hotel “Dajtit” tek Banka e Shqipërisë.

“Ky është një pushtet në kërkim, që po rrënon ekonominë. Sot e morëm vesh të gjithë që për të hedhur ca para në arkën e shtetit, qeveria shet hotel “Dajtin” tek BSH. Ose BSH i bleu qeverisë hotelin”, ka nënvizuar Rama.

Sipas tij, vendi ka hyrë në një fazë degradimi që vjen si pasojë e rrënimit të ekonomisë dhe korrupsionit të lartë në radhët e qeverisë.

“Kjo qeveri ka bërë që të humbasin 100 mijë vende pune, ka abuzuar me tunelin e Kalimashit, ka rritur borxhin publik, si dhe ka bërë që të bjerë fuqia blerëse. Shteti ka hyrë në një fazë degradimi pikërisht për shkak të këtij pushteti”, është shprehur Rama.

Më tej kreu i PS i ka dhënë një përgjigje edhe deklaratës së kryeministrit Berisha për protestën e opozitës.

“Berisha flet për protestën dhe thotë se respekton të drejtën kushtetuese. Ne i themi se nuk e pyet kush zotërinë tënde, ne protestën do ta bëjmë pa u ndalur, këtu para zyrës tënde, derisa të fitojmë transparencën. Kjo është e drejta që duhet të respektojë Berisha”, ka shtuar Rama.

Top Channel