Rama: Protestat paqësore do të vazhdojnë

16/05/2010 19:30

Në protestën e ditës së sotme para mbështetësve foli edhe kryesocialisti Rama. Rama pasi falenderoi deputetin Blendi Klosi i cili u largua paraditen e sotme si pasojë e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore tha se protestat e opozitës kanë qënë dhe do të jenë paqësorë, pavarësisht propagandës, siç tha ai, të pushtetit për të cilësuar manifestimin e opozitës si një kërcënim që i kanoset vendit.

“Forca e resistencës paqësore qytetare dhe forca e arsyes janë armët tona të pathyeshme. Më vjen keq për kundërshtarët, por nuk mund t’i ndihmoj dot sepse protesta jonë nuk cënoi uniformën e asnjë polici, nuk theu asnjë xham, nuk këputi asnjë lule. Propaganda e tyre e turpshme e ushqyer me ditë të tëra në mbarë Shqipërinë për protestën tonë si rrezik që i kanosej qetësisë publike dhe stabilitetit të vendit dhe mezi prisnin për të patur në dorë një alibi një justifikim një argument që nuk do ta kenë kurrë. Ne jemi pranë arritjes së qëllimt tonë nëpërmjet forcës së qëndreësë paqësore qytetare. Shqipëria duhet të çlirohet nga makthi i pamundësisë për të foluir lirë, i papunësisë dhe për të qënë i lirë në pozicionin që çdokush do”, tha Rama.

Pasi shprehu vendosmërinë për të vazhduar me protestën deri në plotësimin e kërkesave të opozitës, Rama ftoi kryeministrin Berisha të pranojë transparencën dhe të heqë dorë nga organizimi i shtetit për të dekurajuar opozitën në protestat e saj.

“I them Berishës se të qeverisësh nuk do të thotë të mbretërosh mbi opozitën. Të rrish lidhur pas opozitës sepse ndjehesh i lidhur nga opozita. Të qeverisësh do të thotë të merresh me ekonomine, do të thotë të harmonizosh energjitë dhe veprimet edhe me kundërshtarët sepse secili në këtë vend ka pjesën e tij nën diell dhe dielli nuk mund të ngrohë vetëm ata që janë në pushtet. Ky pushtet do të thyej qafën nëse nuk i vë gishtin kokës. Të qeverisësh Sali Berisha nuk do të thotë ta mbash pushtetin në dorë pa qeverisur. U bënë muaj që nuk qeveris por organizon shtetin për të dekujaruar dhe dëshpëruar opozitën. Ti vetë po dëshpërohesh”, vijoi më tej Rama.

Më tej pasi kritikoi deklaratën e kryeministrit Berisha i cili pas kthimit nga Kroacia tha se në tryezën e tij nuk ndodhej asnje draft-marrëveshje, kryetari socialist ftoi kryeministrin, që sipas Ramës, të tregohet burrë dhe të pranojë zgjidhjen për t’u garantuar njerëzve lirinë dhe të drejtën e votës. Rama tha gjithashtu se opozita e ka vullnetin për zgjidhjen e krizë, mazhoranca duhet ta gjejë atë.

“Ka zgjidhje Sali Berisha. Bëhu burrë dhe pranoje zgjidhjen duke i hapur rrugën popullit tend, duke u garantuar njerëzve lirinë dhe të drejtën e votës së tyre. Kjo kohë duhet të marrë fund. Ne nuk sprapsemi. Mundësia për transparencë është, ne e kemi këtë vullnet, gjeje dhe ti Sali Berisha këtë vullnet. Kjo është koha për ta zgjidhur këtë problem të madh që nuk mund të anashkalohet” , tha Rama.

Top Channel