Progresi që po arrin Kosova do të jetë një sinjal i mirë që edhe vende të tjera të njohin pavarësinë e saj.

Ka qenë ky mesazhi që ish-kryeministri britanik Tony Blair u ka përcjellë qytetarëve kosovarë, në një konferencë për shtyp të mbajtur pas takimit me presidentin e Kosovës, Fatmir Sejdiu.

“Arritjet e Kosovës janë rezultat i punës së liderëve dhe popullit të Kosovës”, është shprehur Blair, i cili ka përshëndetur rezolutën e miratuar sot nga Parlamenti Evropian, që u bën thirrje vendeve të BE që s’kanë njohur pavarësinë ta bëjnë atë.

Nga ana tjetër presidenti Sejdiu ka vlerësuar veprimtarinë e Blair për Kosovën, duke u shprehur se kjo është pikërisht një nga arsyet përse populli kosovar ka një respekt të madh për të.

Sejdiu ka përjashtuar cdo mundësi për një status të vecantë për Mitrovicën, duke theksuar se 69 vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës e kanë njohur atë me kufijtë ekzistues të saj.

Më herët Blair u prit në një takim nga kryeministri Thaci, ku vlerësoi se Kosova ka shënuar progres të ndjeshëm në 11 vjet.

“Ndihem mirë që e gjej Kosovën në një progres brenda kësaj kohe që është cliruar”, është shprehur Blair, i cili ka theksuar se, do të kishte qenë e tmerrshme nëse nuk do të reagohej kundër tendencës për spastrimin etnik në Kosovë.

Ndërsa Thaci ka falenderuar ish-kryeministrin britanik për gjithcka që ka bërë për pavarësinë e Kosovës. “Cdo ide dhe angazhim që vjen nga Tony Blair për Kosovën do të jetë i pranueshëm për shtetin tonë”, ka pohuar ai.

Top Channel