Për çdokënd mbase do të ishte emocionuese t’i trashëgohej emri. Por emri i ish-kryeministri britanik Tony Blair, mund të themi se është më i privilegjuari në këtë rast.

Nëntë çuna kosovarë janë të pagëzuar me emrin Tony Blair. Të mbledhur së bashku, ata po presin ta takojnë ish kryeministrin britanik.

“Unë ndihem krenar që mbaj emrin e një njeriu kaq të respektueshëm për vendin tim. Ai në një moment të vështirë dërgoi forcat e NATO-së për të ndihmuar Kosovën”, shprehet Ton Krasniqi.

Për të takuar për së afërmi dhe për t’ju falënderuar për ndihmën dhe për kontributin në kohën e luftës së Kosovës, qytetarët i bënë një pritje madhështore.

“E pranoj në 11 vitet e fundit fëmijët janë bërë më të bukur por, unë jam plakur”, është shprehur Blair.

Për nder të tij, Kuvendi i Kosovës organizoi një seancë të veçantë.

Pavarësia e Kosovës ishte e drejtë. Por, Blair porositi kosovarët që tani e tutje të mendojnë për zhvillimin e shtetit. Duke iu drejtuar deputetëve tha se, rruga e shtetit më të ri në botë është drejt Bashkimit Evropian. Por rikujtoi se hyrja në BE kërkon rregulla dhe ato janë respektimi i ligjit dhe zhvillimi i demokracisë për një rrugë më të sigurt.

Ndër të tjera ai ritheksoi se luftimi i korrupsionit është një parakusht tjetër drejt zhvillimit të Kosovës.

“Korrupsioni sjell mungesë efikasiteti dhe është parakusht i domosdoshëm të luftohet nëse doni të anëtarësoheni në BE. Ju duhet të investoni. Njerëzit që janë biznesmenë duan të shohin se ka rend, ligj dhe gjykata funksionale. Çfarëdo aleancash që keni pasur me njerëzit jashtë ligjit dikur ato tashmë duhet të ndahen. Prandaj më pëlqen që e keni ripërsëritur përkrahjen tuaj për EULEX-in sepse ai është aty që të ndihmojë Kosovën të zbatojë rendin dhe ligjin. Është një pjesë e domosdoshme e parapërgatitjes për të hyrë në Evropë. Sado të bëhet e vështirë kjo rrugë duhet të ecë. Evropa e ka hapur derën për ju dhe ju jeni ata që duhet të hyni brenda. Evropa është destinacioni juaj dhe ju e keni në dorë”, theksoi Blair.

Gjatë fjalimit të tij, Blair shpalosi disa çaste nga takimi i tij me ish-presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova.

“Miqtë e mi, më kujtohet viti 1998 dhe një vizitë e Ibrahim Rugovës. Ishte një person i heshtur dhe modest. Dhe posa dilte më tha të lutem një gjë të kërkoj, mos lejo që njerëzit e mi të vuajnë më. I thashë se Britania do të ndihmonte. Ja dhashë besën time, fjalën e nderit. Kaluan 11 vjet prej asaj kohe dhe ja ku jemi ende me mjaft sfida para jush. Por sot me një shtet me njohje prej 69 vende të ndryshme me anëtarësim në FMN dhe BB, por mbi të gjitha një vend me paqe, urime”, deklaroi Blair.

Ai tha se ndihma që iu ofruan Kosovës gjatë kohës së luftës ishte ndihmë e Britanisë së Madhe, NATO-s, por mbi të gjitha ajo ishte arritje e popullit të Kosovës.

Me vete ish kryeministri britanik mori një kopje të deklaratës së pavarësisë, çmimin e artë të lirisë dhe u nderua me çmimin honoris-causa.

Top Channel