Shqipëria nis provimin për vizat

12/07/2010 19:30

Nga Brukseli kanë mbërritur në Tiranë ekspertet europianë që do të vëzhgojnë për 3 ditë me radhë përmbushjen në terren të 3 kritereve të mbetura, me qëllim heqjen e regjimit të vizave Schengen.

Bazuar në rekomandimin e Komisionit Europian që u publikua më 27 maj të këtij viti, ekspertët duhet të vlerësojnë nëse Shqipëria kënaq zbatimin e një strategjie e politike që mbështet riintegrimin e shqiptarëve të riatdhesuar, forcimin e kapaciteteve të zbatuesve të ligjit dhe implementimin efikas të kuadrit ligjor për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe atë mbi konfiskimin e aseteve kriminale.

I njëjti ekip, javen e kaluar vizitoi dhe Sarajevën për të parë përmbushjen e 3 kritereve të mbetura, sipas Komisionit, për qeverinë boshnjake.

Pas vëzhgimit në terren këtë javë nga ekspertët e Komisionit dhe vendeve anëtare, informacioni do t’u kalojë zyrtarëve të Komisionit Europian, të cilët pritet të përpilojnë në shtator vlerësimin nëse Shqipëria dhe Bosnja i përmbushin kushtet për heqjen e vizave.

Në 3 shtator, përfaqësues të Komisionit pritet të paraqiten për një raport oral në Parlamentin Europian, me qëllim që të mos shtyhet votimi në seancë plenare i rezolutës mbi propozimin legjislativ për të kaluar Shqipërinë dhe Bosnjen në listën e bardhë Schengen.

Draft-rezoluta prezantohet këtë javë nga raportuesja Tanja Fajon. Në rast se ekspertët vlerësojnë se Shqipëria i ka përmbushur kriteret e mbetura, vendimi përfundimtar do të merret në Këshillin e Ministrave të Brendshëm dhe hyn në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare.

Top Channel