Vizat, debat në Bruksel

13/07/2010 22:30

Komiteti për Çështjet e Brendshme, Lirisë dhe Drejtësisë debatoi gjatë pasditës së martë mbi rekomandimin e Komisionit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjës. (UPDATE)

Në fillim të debatit raportuesja Tanja Fajon theksoi se besueshmëria e Bashkimit Europian do të vihej në pikëpyetje nëse proçesi për liberalizimin e vizave nuk do të mbyllej këtë vit si me Bosnjën edhe me Shqipërinë. Sipas saj, Bashkimi Europian do të paguante një çmim më të lartë nëse nuk do të jepte vizat, duke folur për politikën dhe sigurinë e Unionit.

Përfaqësuesja e Komisionit Europian në debat  u shpreh se mbetej për t’u finalizuar vlerësimi pas kthimit të ekspertëve që po vërejnë progresin në terren. Komisioni në fillim të shtatorit do të paraqesë raport oral në Parlament, u shpreh ajo.

Për presidencën belge liberalizimi i vizave është proçes teknik dhe bazohet në përmbushjen e plotë të kritereve të udhërrëfyesit. Ndaj nëse komisioni do të vlerësojë pas pushimeve të verës se Tirana dhe Sarajeva kanë përmbushur të gjitha kriteret, atëherë Këshilli do të shqyrtojë propozimin legjislativ. Përfaqësueja belge u shpreh se Këshilli mban shënim angazhimin e vitit të kaluar për trajtimin si “çështje urgjente” ndaj do të përfshihet më pas në axhendë.

Raportuesja e Komitetit të Jashtëm Europarlamentar ishte e pranishme gjatë debatit dhe tregoi se në 6 shtator, ky komitet do të shprehet mbi draft-rezolutën. Ludfort theksoi se vendimi do të konsiderohej “politik” nëse nuk do të hiqeshin vizat ndaj shqiptarëve dhe boshnjakëve deri në fund të vitit. Ky nuk është qendrim vetëm i qendrës së majtë, sqaroi eurodeputetja e grupimit socialdemokrat, edhe të djathtët e kanë shprehur këtë rezervë në të kaluarën ndaj vendeve anëtare, pasi vizat ndaj Ballkanit duhen aplikuar.

Në emër të grupimit të djathtë, eurodeputeti Busutil tha se Partitë Popullore Europiane do të votonin pro draft-rezolutës mbi vendimin për të kaluar Shqipërinë dhe Bosnjën nga “Anex I” në listën e bardhë Shengen, në rast se Komisioni do të vlerësonte në shtator se kriteret janë përmbushur nga të dy vendet.

Raportuesja Fajon kërkoi nga kolegët që të mos kishte amendamente ndaj draftit të saj, me qëllim përshpejtimi ndaj proçesit. Pas dëgjimit të vlerësimeve përfundimtare nga Komisioni, afati i fundit i amendamenteve është pasditja e 3 shtatorit, e nëse nuk do të ketë, votimi është parashikuar në datën 13 shtator nga ky komitet. Ende nuk është e qartë nëse votimi në seancë plenare do të bëhet në muajin shtator apo në tetor, pasi kjo gjë është dhe në varësi të vlerësimit përfundimtar me shkrim që komisioni duhet të dorëzojë.

Top Channel