Dështon sërish buxheti

14/07/2010 01:40

Ka dështuar sërish miratimi i buxhetit të Bashkisë së Tiranës. Mbledhja e Këshillit Bashkiak, në rend dite të të cilës ishte miratimi i buxhetit 2010 për bashkinë më të madhe në vend, ka përfunduar pa asnjë rezultat.

Anëtarë të Këshillit Bashkiak të mazhorancës, Suzana Guxholli dhe Ferdinand Poni kërkuan gjatë prezantimit të buxhetit të argumentuar nga nën/kryetarja Albana Dhimitri të shpjegonte nivelin e mbledhjes së taksave, ç’ka solli edhe debate.

Ato vijuan edhe gjatë prezantimit të buxhetit të ndarë sipas zërave dhe prioriteteve, kur anëtaret e PD kërkuan të shpjegohej si ishte shpenzuar buxheti i vitit të kaluar. Pasi kaluan dy orë, këshilltari i PD Ferdinand Poni kërkoi ndryshime në buxhet dhe ulje të taksave e shpenzimeve.

Të njejtin mendim ndanë me Ponin edhe këshiltarë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, ndërkohe që këshilltarët e Partisë Socialiste e kundërshtuan këtë ide, pasi kjo do të sillte një buxhet më të tkurrur në investime.

Pas pesë minutash pushim mbledhja u mbyll sikurse edhe të mëparshmet e muajve të kaluar, pa e miratuar buxhetin. Por kësaj radhe ajo çfare u vendos ishte shpërndarja e propozimit të këshiltarëve të djathtë dhe studimi i tyre nga të gjithë deri në takimin e ardhshëm ku pritet shqyrtimi i tij.

Top Channel