Vizat, ikin ekspertët e BE-së

15/07/2010 15:00

Komisioni Europian mbylli verifikimin direkt në terren për plotësimin e kushteteve nga ana e Shqipërise për procesin e liberalizimit të vizave.

Ne nje njoftim te zyres se perfaqesise se Komisionit Europian ne tirane thuhet se shërbimet e Komisionit Evropian, me pjesëmarrjen e ekspertëve të pavarur nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian, përfunduan sot një mision teknik në Shqipëri në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave.

Qëllimi i këtij misioni ishte të verifikojë në terren përparimin e bërë lidhur me kriteret e mbetura të identifikuara në propozimin e Komisionit Evropian, të miratuar më 27 maj 2010, për heqjen e detyrimit të vizave afatshkurtra për qytetarët shqiptarë.
Duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Evropian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura. Ky vlerësim do t’u paraqitet në muajin shtator Parlamentit Evropian dhe Këshillit Evropian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë.

Liberalizimi i vizave afatshkurtra bën të mundur udhëtimin pa viza në Bashkimin Evropian deri në 90 ditë për një periudhë gjashtë mujore. Për qëndrime më të gjata, ende duhet një vizë afatgjatë dhe kjo vizë duhet marrë nga konsullata e vendit anëtar të bashkimit evropian ku është destinacioni. Për më tepër liberalizimi i vizave afatshkurtra nuk aplikohet nëse qëllimi i udhëtimit është punë ose punësim.

Në të tilla raste, përsëri do të kërkohet vizë dhe leje punësimi.

Ekspertet erdhen pak dite me pare ne tirane dhe per tre dite vezhguan permbushjen ne terren te 3 kritereve te mbetura per procesin liberalizues te vizave. Ekspertet vleresuan nese Shqiperia kenaq zbatimin e nje strategjie e politike qe mbeshtet riintegrimin e shqipetareve te riatdhesuar, forcimin e kapaciteteve te zbatuesve te ligjit dhe implementimin efikas te kuadrit ligjor per luften ndaj krimit te organizuar e korrupsionit, si dhe ate mbi konfiskimin e aseteve kriminale.
 

Top Channel