Buxheti, gërshërë mbi prioritetet

17/07/2010 15:40

Shkurtimet buxhetore të qeverisë kanë prekur më fort shpenzimet për sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë, më saktësisht bujqësinë, arsimin dhe shëndetësinë.

Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se fondet për këta sektorët janë shkurtuar më shumë se sa mesatarja e shkurtimeve buxhetore. Sipas të dhënave, fondet buxhetore për bujqësinë sektorin që punëson më shumë se 50 përqind të popullsisë janë ulur me 30.5 për qind, në një kohë që mesatarja e shkurtimeve në buxhet është vetëm 9.5 për qind.

Fondet totale për sektorin e bujqësisë në 2010 do të jenë vetëm 5 miliardë lekë, shifër kjo 16 për qind më e ulët se sa ajo e vitit të kaluar. Fondet për arsimin, një tjetër sektor jetik për ekonominë janë shkurtuar me rishikimin e buxhetit me me rreth 54 milionë dollarë krahasuar me buxhetin e fillimit të vitit, ose 12.5 për qind.

Shpenzimet për arsimin do të jenë këtë vit me rishikimet më të ulëta edhe se sa ato të vitit të kaluar. Vec bujqësisë edhe arsimit, shkurtimet kanë prekur edhe sektorin e shëndetësisë, për të cilin qeveria do të japë këtë vit rreth 3.5 miliardë lekë ose 35 milionë dollarë më pak se sa kishte parashikuar në buxhetin e fillimvitit.

E shprehur në përqindje fondet për shëndetësinë janë ulur me rreth 12 për qind, ose gati 2.5 pikë përqindje më shumë se sa mesatraja e shkurtimeve buxhetore. Kjo është hera e parë të paktën në 5 vitet e fundit, kur fondet e buxhetit për sektorët jetikë të ekonomisë ulen krahasuar me një vit më parë.

Top Channel