Autobusi në humnerë, të paktën 12 të vdekur

17/07/2010 19:55

Një autobus udhëtarësh i linjës Fushë Arrëz-Durrës dhe anasjelltas ka dalë nga rruga duke përfunduar në humnerën e lumit Fan. (UPDATE)

Për pasojë të paktën 12 persona, numer ende i pakonfirmuar zyrtarisht, raportohen paraprakisht të vdekur nga policia e Pukës, ndërkohë që mbi 20 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e këtij aksidenti automobilistik.

Ministria e Brendshme ka dërguar në vendngjarje forcat e polumbarëve të repartit special RENEA, si dhe tre helikopterë të Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mbrojtjes për të transportuar drejt Spitalit Ushtarak të plagosurit në gjëndje të rëndë për jetën.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe policia rugore dhe policia e këtij qarku. Burime jozyrtare bëjnë të ditur se ende nuk janë rekuperuar të gjithë trupat e viktimave, të cilët për shkak të terrenit të rënduar mund të jenë shpërndarë gjatë rënies së autobusit në vende të ndryshme.

Ende nuk dihen motivet e këtij aksidenti të rëndë automobilistik. Në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të lartë të Policisë së Shtetit, të udhëhequr nga drejtori i përgjithshëm Hysni Burgaj dhe zëvendësministri i Brendshëm, Avenir Pekaj.

Në Domen është ngritur edhe një shtab i emergjencës për të përballuar në terren situatën. Katër vjet më parë në këtë aks kryesor një autobuz me studentë nga Kosova ra në humnerë, në ujërat e lumit Fan.

Për pasojë, 11 persona humbën jetën dhe të paktën 30 të tjerë u plagosën. Ne atë kohë u përcaktuan si shkak i aksidentit të rëndë kushtet e këqija atmosferike, për shkak të rrëshqitjes së mjetit nga lagështira.

Top Channel