Berisha, përurime në bregdet

11/08/2010 16:25

Kryeministri Berisha, në kulmin e sezonit turistik, ka vijuar turin e inaugurimeve në jug të vendit.

Destinacioni i radhës ka qenë zona e Jalit dhe Livadhit në Himarë, ku shefi i qeverisë preu shiritin e rrugëve që lidhin aksin kryesor me bregdetin.

Duke bërë një ekspoze të projekteve të realizuara nga qeveria në jug të vendit, Berisha tha se ato janë më të mëdhatë e bëra në 70 vitet e fundit në këtë zonë, e si pasojë e tyre turizmi në këto 5 vite është 10 fishuar dhe rritja do të vijojë me hapa gjigandë edhe në vitet e ardhshme.

Pasi premtoi se së shpejti, për shkak të investimeve, Shqipëria do të vizitohet nga jo më pak se 7 milionë turistë në vit, kryeministri nuk harroi të sulmonte rivalin e tij.

Në krah të kreut të bashkisë së Himarës, Bollano, teorikisht një aleat i Partisë Socialiste, Berisha ironizoi liderin e opozitës Rama, te cilin e ftoi të vizitonte nga afër investimet e qeverisë.

“Duke ardhur këtu, më lindi ideja që rrugën e Palasës, zoti Bollano ta inaugurosh me zotin Paskal Milo. Zoti Milo të marrë lidershipin e opozitës e ta sjellë në Palasë, të vijë në Vuno të shohë edhe dajot e tij, se 8 vjet nuk lëvizën as 8 gurë dhe tani, nga mëngjesi deri në darkë, mohojnë, mohojnë dhe vetëm mohojnë. Pasi të kthehen nga Makao dhe Los Anxhelos, pasi i kanë shumë qejf kazinotë, të zbresin në Palasë, edhe pse nuk ka kazino, por ka rrugë shumë të bukur dhe një nga peizazhet më të bukura të Europës”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri premtoi se investime të mëdha do të bëhen edhe në zonat malore të Cajupit, Tomorrit, Voskopojës, Prespës, Bjeshkëve të Namuna, Thethit, Bogës, Razmës e Kalasë së Dodës.

Top Channel