Athina: Ngjarja në Himarë cënon raportet

13/08/2010 18:50

Ngjarja e Himarës ka sjellë reagime të ashpra të Ministrisë së Jashtme greke, si dhe në rradhët e partive të opozitës greke. (UPDATE)

Sipas një njoftimi për shtyp, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Grigoris Delavekuras, shprehu shqetësimin e Athinës lidhur me vrasjen e një të riu në Himarë.

“Familjarëve të 35 vjecarit Aristotel Guma i shprehim ngushëllimet tona të sinqerta. Ngjarje të papranueshme si këto kërcënojnë ndezje të akteve të dhunës etnike midis grekëve dhe shqiptarëve, me rezultate të pakontrollueshme të cilat pa dyshim do të dëmtojnë edhe marrëdhëniet dypaleshe”, ka deklaruar Delavekuras.

Sipas tij, fakti që autorët kishin synime të qarta etnike ndaj viktimës ngjallin shqetësime të dukshme në radhët e minoritetit grek që jeton në Shqipëri.

“Ngjarje si këto duhet të dënohen prej të gjithë spektrit politik në Shqipëri. I kërkojmë qeverisë shqiptare të zbardhë plotësisht ngjarjen dhe të zhvillojë një proces të drejtë dhe të shpejtë, me qëllim rritjen e ndjenjës së sigurisë në komunitetin e minoritarëve grekë që jetojnë në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

“Kërkojmë prej autoriteteve të Tiranës të zbatojnë detyrimet që rrjedhin prej konventave ndërkombëtare për minoritetet dhe njëkohësisht të plotësojë kriteret e premtuara prej saj lidhur me minoritetet. I kërkuam ambasadës tonë në Tiranë të jetë prezente gjatë gjithë procesit”, kërkohet në të.

Reagime erdhën edhe nga partitë e opozitës. Përgjegjësi i sektorit të politikës së jashtme të Demokracisë së Re, Dhimitris Avramopullos, u shpreh i shqetësuar lidhur me ngjarjen dhe kërkoi dërgimin e menjëhershëm të autorëve përpara drejtësisë.

Ndërsa zëdhënësi i partisë së ekstremit të djathtë, LAOS, Kostas Aivaliotis, kërkoi reagime të ashpra të Athinës dhe rishikimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Top Channel