Vrasja në Himarë, replika pozitë-opozitë

14/08/2010 19:35

I ndodhur në Dhërmi, fare pranë Himarës, kryeministri Berisha ka reaguar dy ditë pas ngjarjes që tronditi zonën. (UPDATE)

Në deklaratën e bërë publike në faqen e Këshillit të Ministrave, shefi i qeverisë e quan atë një krim të shëmtuar dhe ekstrem.

Nëse konfirmohen motivet e vrasjes që pretendojnë banorët dhe media, kryeministri thotë se kjo e bën edhe më mizor këtë krim.

“Është një gjë shumë e rëndë, por këto do t’i sqarojë drejtësia. Autoritetet e rendit duhet të vendosin autorin para ligjit. Është një akt barbar shumë i keq”, ka deklaruar Berisha.

Kryeministri kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet e drejtësisë, por nuk komentoi mbi reagimin e Athinës zyrtyare mbi këtë ngjarje, që tashmë është në duart e drejtësisë shqiptare.

Ndërkohë, Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e cilësuar mjaft të rëndë ngjarjen, ka kërkuar përmes sekretarit të përgjithshëm Luan Rama mospolitizimin e saj.

Të gjendur në një vorbull të fortë akuzash të ardhura si nga politika zyrtare greke, ashtu edhe nga përfaqësuesit e minoritetit në Shqipëri, LSI që drejtohet nga zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm Ilir Meta, theksoi se qëndrimi më i mirë është t’i lihet koha e nevojshme drejtësisë të kryejë punën e saj.

“Politizimi apo komentet janë një cështje tjetër që nuk i kontribuojnë zbardhjes së të vërtetës. I bëj thirrje policisë që të operojë me ritmet e duhura dhe të informojë publikun mbi ngjarjen”, ka deklaruar Rama.

Ndërkohë, socialistët kanë akuzuar qeverinë se e ka situatën jashtë kontrollit, por nuk kanë komentuar deklaratën e Vangjel Dules dhe Vasil Bollanos të PBDNJ, që janë aleatë me opozitën.

“Qeveria ka humbur kontrollin mbi territorin duke i lënë terren krimit dhe rrugacërisë. PS kërkon vendosjen e një drejtësie sa më të shpejtë dhe efektive, të bazuar në ligj dhe në prova”, ka deklaruar deputetja Ermonela Felaj.

Menjëherë pas kësaj deklarate Ministria e Brendshme i ka bërë thirrje opozitës që të mos politizojë ngjarjen dhe të mbështesë policinë në punën e saj.

“Ministria e Brendshme dënon përpjekjen e PS për të përdorur politikisht ngjarjen e Himarës. I bëjmë thirrje PS që të distancohet nga këto qëndrime dhe të mbështesë angazhimin profesional dhe ligjor të policisë. Policia po heton dhe po jep mbështetjen e plotë për të vënë para drejtësisë autorët e kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar zëdhënësi i MPB, Fatmir Konja.

Politika shqiptare nuk reagoi ndaj deklaratës së kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili në cilësinë e kreut të Kishës Ortodokse Shqiptare, reagoi me një daklaratë që rrezikon t’i japë kësaj ngjarjeje edhe më tepër ngjyra të ndasisë etnike dhe fetare.

Top Channel