“Himara”, deputetët grekë letër KE-së

15/08/2010 16:55

Grupi i eurodeputeteve të partisë opozitare Demokracia e Re ka çuar në Komisionin Europian, çështjen e vrasjes në Himarë të 35 vjeçarit, Aristotel Guma. (UPDATE)

Kryetari i këtij grupi, Jorgos Kumutsakos, në letrën e tij dërguar Komisionit, pasi ka dënuar aktin e papranueshëm, siç e karakterizon ai sulmin ndaj 35 vjeçarit nga një grup qytetarësh shqiptarë, ka kërkuar përgjigje për tre pyetje te shtruara ndaj anëtarëve të këtij Komisioni si dhe ndaj Këshillit Europian.
    
Së pari, nëse është kërkuar nga Brukseli prej qeverisë shqiptare informacion i plotë për këtë akt, duke theksuar se fajtoret duhen arrestuar dhe ndëshkuar në bazë të ligjit.

Së dyti, nëse është çuar një notë proteste në mënyrë që t’i tërhiqet vëmendja qeverisë shqiptare se të tilla ngjarje, që shkelin hapur respektin e të drejtave individuale dhe atyre të pakicave, kanë një ndikim veçanërisht negativ në perspektivën e ecurisë europiane të Shqipërisë.

Së treti, nëse kjo ngjarje e papranueshme do të regjistrohet me peshën e vërtete që ajo ka në Raportin e Progresit të BE-së për Shqipërinë.

Sipas agjensisë shtetërore greke, ANA dje në mbrëmje kryetari i konservatorëve greke, Andonis Samaras ka pasur një bisedë telefonike me kryebashkiakun e Himarës, Vasil Bollano dhe pasi i është lutur atij t’u transmetojë ngushëllimet e tij personale familjarëve të viktimes, ka kërkuar edhe ndëshkimin shembullor të fajtorëve .

Athina zyrtare, ka thënë ai, duhet të reagojë më dinamikisht ndaj akteve të tilla që shkaktojnë tension dhe probleme në jetën e grekëve në Shqipëri.

Dje dhe sot, të gjitha mediat televizive greke dhe agjensitë e lajmeve, kanë transmetuar deklaratën e kryeministrit Sali Berisha, duke komentuar se udhëheqësi i qeverisë shqiptare e ka dënuar aktin e vrasjes së minoritarit grek duke e cilësuar një akt barbar dhe mizor dhe se autorët do të çohen para ligjit.

Top Channel