Çelen shkollat

06/09/2010 08:55

Trafik, përgatitje, organizim, prindër, gjyshër, motra e vëllezër kanë qenë të gjithë bashkë për të përcjellë të vegjlit të cilët nisin sot klasën e parë.

Janë plot 650 mijë nxënës në të gjithë vendin që nisën vitin e ri akademik 2010-2011.

Në këtë vit shkollor, sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit dhe drejtorive arsimore, nuk do të jenë më shumë se 35 nxënës në klasë. Do të ketë më pak nxënës në klasa por më shumë klasa paralele.

Me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, uroi nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Sot rreth 645.000 fëmijë ulen në bankat e shkollave dhe kopshteve në të gjithë vendin.

Dita e parë e shkollës ka marrë statusin e një dite feste për vlerat e simbolikën që ajo mbart për çdo familje shqiptare, si vatër e përbashkët e dijes, edukimit dhe prosperitetit.

Sakaq, pavarësisht çeljes së vitit shkollor, Ministria e Arsimit ka sqaruar se vazhdon ndërtimi dhe rindërtimi i shkollave në të gjithë vendin. Deri në fund të vitit 2010 përfundojnë 50 shkolla të reja.

Top Channel