Miratohet rezoluta për Kosovën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Rezoluta i hap rrugë një dialogu teknik mes Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Brukselit zyrtar.

Seanca e Asamblesë së Përgjithshme filloi dy orë me vonesë për shkak të kërkesës së Serbisë që delegacioni kosovar të largohet nga salla. Një gjë e tillë nuk ndodhi pavarësisht konsultimeve të gjata mes partnereve ndërkombëtarë.

Me të filluar seanca Ministri i Jashtëm i Serbisë kërkoi nga kryesuesi i Asamblesë që të sqarojë prezencën e Kosovës në sallë, pa qenë anëtare e OKB-së. Jeremiç vazhdoi me prezantimin e rezolutës, ku theksoi se Serbia nuk do ta njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa kërkoi miratimin e rezolutës me konsensus shefi i diplomacisë serbe tha se e mirëpret gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithëse nuk pati vota kundër për këtë rezolutë, përfaqësuesit e shteteve anëtare të OKB-së dhanë qëndrimet e tyre pro dhe kundër.

Siç ndodhedhe në mbledhjet e Asamblese se Pergjithshme shtetet anëtare që e kanë njohur pavarësinë, si SHBA, Turqia e Shqipëria, u deklaruan në favor të shpalljes së pavarësisë.

Kështu SHBA-të dhe Shqipëria i dhanë mbështetje të plotë rezolutës së miratuar e cila sipas tyre e trajton me respekt opinionin këshilldhënës të GJND-së. Që të dyja këto shtete inkurajuan Serbinë dhe Kosovën për marrëdhënie të mira në kuadër të fqinjësisë ndërshtetërore.

Ndërsa Rusia e Kina sërish kanë kërkuar mbetjen në fuqi të rezolutës 1244. Sipas përfaqësuesve të këtyre dy shteteve roli për zgjidhjen e këtij problemi i takon vetëm Këshillit të Sigurimit.

Top Channel