PE, debati për liberalizimin e vizave

06/10/2010 22:45

Heqja e regjimit të vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën duhet të hyjë në fuqi përpara Krishtlindjeve. Me këtë mesazh nisi debatin në seancë plenare të PE-së raportuesja Tanja Fajon. (UPDATE)

“Kolegë, përfaqësues të Këshillit e Komisionit, le të bëjmë më të mirën që ne mundemi, le të bëjmë një hap më shumë dhe t’u mundësojmë qytetarëve të Shqipërisë dhe Bosnjës që të udhëtojnë lirshëm, madje përpara festave katolike, Krishtlindjeve, përpara fundit të këtij viti”, nisi fjalën e saj raportuesja Tanja Fajon.

Në emër të Komisionit Europian, Malmstrom përgëzoi përpjekjet e bëra nga autoritetet e Tiranës dhe Sarajevës në përmbushjen e kritereve të kërkuara, duke shtuar se kujdesi duhet të vijojë edhe pas heqjes së regjimit.

“Më lejoni të nënvizoj se heqja e vizave vjen bashkë me përgjegjësitë në mënyrë që të parandalohen abuzimet. Është themelore që Shqipëria dhe Bosnja të marrin gjithë masat e nevojshme për të kufizuar fluksin e personave që kërkojnë pa bazë azil”, tha komisionerja Europiane për Çështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom.

Përveç thirrjes ndaj Këshillit të Ministrave të Brendshëm për të miratuar vendimin për liberalizimin e vizave, raportuesja e Komitetit të Jashtëm Europarlamentar, Ludford kritikoi qendrimin e qeverisë franceze.

“Ne e bëmë këtë marrëveshje, ju thamë: Nëse ju kapërceni këtë gropë do të merrni regjim të lirë vizash. Nëse Franca apo ndonjë vend tjetër kanë dyshuar ndonjëherë për këtë veprim, ato nuk duhet të kishin mbështetur kurrë udhërrëfyesin e vizave. Tani, ato nuk duhet të bëjnë të dështojë ky premtim,” u shpreh Sarah Ludford, Raportuese në Komitetin e Jashtëm në PE.

Ashtu siç pritej, heqja e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën është mbështetur në shumicë nga grupet parlamentare, me përjashtim të ekstremistëve. Ndërkohë që eurodeputetë të veçantë nga grupimi i djathtë apo i majtë kanë shfrytëzuar debatin për të përcjellë mesazhe shtesë.

Raporti i Fajon për liberalizimin e vizave me Shqipërinë dhe Bosnjën votohet mesditën e së enjtes në Parlamentin Europian.

Top Channel