Heqja e vizave për shqiptaret risjell diskutimin e liberalizimit të këtij regjimi edhe për Kosovën. Por për këtë, shumica e eurodeputetëve duken skeptikë dhe vlerësojnë se është ende herët.

“Liberalizimi i vizave është një privilegj e jo e drejtë automatike që mund të merret falas. Kosova mbetet më shqetesuese përsa i takon cilësisë së sigurisë se pasaportave dhe nivelit të krimit të organizuar. Derisa këto cështje të zgjidhen plotësisht, Kosova mbetet jashtë qëllimit të politikave tona”, ka deklaruar Charles Tannock nga grupimi konservator.

Në thelb ai nuk është shprehur kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve kosovarë. “Por unë nuk jam kundër në parim që Kosova të ketë liberalizim të vizave. Edhe pse 5 vende të Unionit nuk e njohin atë si shtet, kjo nuk duhet të sherbejë si arsye për të mos i dhënë Kosovës si territor, të drejtën për të lëvizur lirshëm në Bashkimin Europian”, është shprehur Tannock.

Por duke i bërë një krahasim shtetit të ri ballkanas me Tajvanin, ai ka nënvizuar se për heqjen e vizave është ende herët. “Asnjë vend anëtar i BE-së nuk e njeh Tajvanin, një territor, ku unë jam i lumtur të përfaqësoj marrëdhëniet me këtë Parlament. Por, Bashkimi Europian pritet që së shpejti t’i japë regjim të lirë vizash qytetarëve të këtij territori. Ndaj dhe Kosova, ngjashëm me Tajvanin, duhet t’i bashkohet përfitueseve të regjimit të lirë të vizave, në kohën e duhur”, ka shtuar Tannock.

Ndërsa komisionerja për Cështjet e Brendshme, Cecilia Malmstrom, pasi ka theksuar se Kosova nuk duhet lënë në harresë, ka mbështetur deklaratën e kolegut të mësipërm, duke nënvizuar se heqja e vizave për këtë vend është ende herët.

“Kosova nuk ka mbetur në harresë. Kosova është një partner shumë i rëndësishëm. Ata kanë bërë shumë përparim, por Komisioni, në mënyrë që të mbetet i besueshëm, duhet të shikojë me kujdes të gjitha kriteret e kushtet, dhe Kosova nuk është gati për këtë”, ka pohuar Malmstrom.

“Por ne punojmë me qeverinë. E dimë që ata po bëjnë përpjekje për riatdhesimin dhe riintegrimin e të kthyerëve, por duhet të bëjnë më shumë. Kur të plotësohen këto, atëherë mund të kalojmë drejt nisjes së një dialogu për vizat. Gjatë kësaj kohe, inkurajojmë të gjitha vendet anëtare që të përdorin cdo lehtësi që mundëson Kodi i Vizave gjatë shqyrtimit të aplikimit për vizë nga qytetarët e Kosovës”, ka shtuar ajo.

Kosova duhet të kalojë përmes një procedure më të komplikuar për të arritur heqjen e vizave. Në vend të udhërrëfyesit rutinë me kriteret përkatëse, Komisioni ka parashikuar që t’i ofrojë një strategji ku përshtaten kushtet e kërkuara për rastin specifik të saj.

Top Channel