Kili, dalin në sipërfaqe 5 nga 33 minatorët

13/10/2010 08:35

5 nga 33 minatorët e bllokuar që në 5 Gusht në një minierë të Kilit kanë dalë në sipërfaqe pak orë pas nisjes së operacionit të shpëtimit që do të nxjerrë nga nëntoka të gjithë të bllokuarit.

31 vjecari Florencio Avalos ishte i pari që pa dritën e diellit pas 68 ditësh, pasi përshkroi me sondën “Fenix” për 15 minuta tunelin me diametër 53 cm të hapur nga inxhinierët. Menjëherë pas daljes në sipërfaqen e tokës minatori përqafoi djalin dhe bashkëshorten si dhe presidentin Sebastian Pinera.

Ai u transportua në spital ku do jetë nën kontrollin e mjekëve. Pas rreth një ore dolën në sipërfaqe edhe Mario Sepulveda dhe Juan Illanes. Sipas të dhënave, të gjithë minatorët paraqiten në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kanë shfaqur probleme për shkak të ndryshimit të trysnisë e temperaturës.

Gjatë ditës së sotme do mbërrijë në vendngjarje dhe presidenti bolivian, Evo Morales. Pas daljes në sipërfaqe të minatorëve të parë, qindra njerëz kanë dalë duke festuar në rrugët e Santiagos. Të njejtën gjë kanë bërë edhe kilianët para ambasadës së tyre në Uashington.   

Top Channel