Kukës, ekzekutohet pranë banesës kryetari i komunës

25/10/2010 22:20

Ekzekutohet pranë banesës së tij kryetari i Komunës së Tërthorës në Rrethin e Kukësit, Remzi Veseli.

Veseli, (i datelindjes 1970) 40 vjeç i cili ndodhej në mandatin e tij të dytë si kryetar i Komunës së Tërthorës nen siglën e Partisë Socialiste, është qëlluar për vdekje me armë zjarri disa herë në momentin kur ka qenë duke hyrë në banesën e tij në lagjen numër  3 të qytetit verior në orët e vona të së hënës.

Ngjarja është shënuar rreth orës 21:45 minuta, ku fqinjët e viktimës pohuan pas kamerave se kishin dëgjuar tri të shtëna që mendohet të kenë qenë nga një pistoletë.

Autorët kanë shfytëzuar errësirën si dhe kohën me shi, në momentin kur viktima po hapte portën e shtëpisë për t’u futur brenda.

Viktima është transportuar menjëherë në urgjencën e spitalit rajonale të Kukësit nga të afërmit e familjes, por pa mundur t’i shpëtojë plagëve të shkaktuara nga goditjet.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e saj duke shoqëruar në komisariat disa persona. Sipas policisë së Kukësit janë bërë 7 shoqërime për t’i marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen.

Momentalisht policia nuk ka një autor të dyshuar për vrasjen e kryekomunarit të Tërthorës. Megjithatë motivi dhe autorësia e krimit mbetet ende një mister, pasi sipas uniformave blu kreu i komunës Tërthorë nuk kishte ndonjë konflikt të hapur.

Top Channel