Kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa deklaron se të gjitha subjektet politike në vend, së bashku me LDK-në, duhet të sigurojnë që zgjedhjet e 12 dhjetorit të jenë legjitime dhe që edhe rezultati i tyre të jetë legjitim.

Në të kundërtën, tha ai, do të dështojë shtetndërtimi i Kosovës në këtë fazë.

“Ne do të bëjmë çdo gjë që ta përballojmë këtë proces, që ne t’i ndihmojmë këtij procesi që ai të jetë i suksesshëm. Ne nuk do të mund të krenohemi nëse suksesi do të dështojë, për arsye se me këtë do të dështojë edhe shtetndërtimi i Kosovës në një fazë. Ne ia kemi borxh edhe Kosovës por edhe shtetësisë sonë që ne të bëjmë çdo gjë që zgjedhjet të jenë legjitime dhe që rezultati i tyre të jetë legjitim. Unë këtu e shoh përgjegjësinë tonë si LDK, të cilën ne duhet ta realizojmë por edhe të subjekteve të tjera politike dhe të faktorit ndërkombëtar, i cili ka investuar shumë në Kosovë”, tha Mustafa.

Zoti Mustafa, në një intervistë për BBC-në ka shfaqur synimin e partisë së tij që të fitojë në zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe që të qeverisë me vendin në periudhën e ardhshme.

Ai tha se LDK-ja do të orientohet që të bëjë koalicione paszgjedhore me ato subjekte dhe parti politike me të cilat ‘ka afërsi programore’.

“Ne objektivisht do të orientohemi në koalicion me ato subjekte dhe parti me të cilat kemi afërsi sa i përket programit ose kemi besim të plotë në sjelljet tona dhe përgjegjësinë për realizimin e qeverisjes dhe nuk e përjashtoj këtë. Por, tani për tani është herët të thuhet, sepse duhet të konsultohemi edhe me Kryesinë dhe Këshillin Qendror në këto dy ditë në mënyrë që të kemi orientimet e qarta për këtë”, tha Mustafa.

Kryetari i komunës së Prishtinës fitoi të dielën zgjedhjet për kryetar të partisë në Kuvendin e shtatë të LDK-së, me një shumicë votash ndaj rivalit të tij, kryetarit të deritashëm Fatmir Sejdiu.

Top Channel