Në vijim të fjalës së tij në Top Shoë, kreu i LDK-së dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa tha se në programin e tij synimi primar nuk është rikthimi i të larguarve, por hapja e dyerve të partisë për njerëz të rinj, të paangazhuar më parë në politikë.

“Nuk është synimi im themelor për të rikthyer të pakënaqurit, synimi im është hapja e dyerve të LDK-së për njerëzit për t’u anëtarësuar. Unë i kam dërguar një ftesë publike të pakënaqurve, por do të parapëlqeja të ftoja në LDK njerëz të rinj, të papërfshirë më parë me politikën”, tha Mustafa.

Më tej në lidhje me listën “LDK- Ibrahim Rugova”, Isa Mustafa tha se ka patur takim me djalin e ish-presidentit Rugova, Ukën ku i ka shprehur vullnetin që ai të përfshihet brenda LDK-së edhe pse lista e shpallur prej tij dhe Bujar Bukoshit nuk ka kaluar në proceset zgjedhore të partisë.

Mustafa tha se oferta e tij ndaj Ukës nuk është poshtëruese, ashtu sikundër u cilësua ditën e djeshme nga anëtarët e listës “LDK-Ibrahim Rugova”.

“Kam biseduar me Ukën para dy ditësh dhe kam shprehur vullnetin tim dhe të LDK që të jetë në LDK. I kam thënë që disa proçese kanë kaluar pasi ata nuk janë zgjedhur nga proceset brenda partisë, por ekzistonte mundësia që të vendosej në listën tonë. Oferta nuk është ofertë poshtëruese sepse pozita e deputetit të Kuvendit të Kosovës nuk është poshtëruese, më tepër e konsideroj letrën si akt të atyre që e kanë shkruar atë letër dhe jo e Ukës”, shtoi Mustafa.

Top Channel